KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, dështon tentativa për të miratuar ligjin e gjuhëve

Maqedoni, dështon tentativa për të miratuar ligjin e gjuhëve

Përpjekjet e Kuvendit të Maqedonisë për leximin e tretë të ligjit për përdorimin e gjuhëve dështuan. Seanca u shty fillimisht, e më pas kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk i thirri më deputetët në sallë. Shtyrja e leximit të tretë, respektivisht shqyrtimit të mbi 35 mijë amendamenteve të VMRO-DPMNE-së, u bë për shkak të mosgjetjes së gjuhës së përbashkët mes partnerëve të koalicionit, LSDM-BDI. Kjo e fundit, përfshi edhe kreun e Kuvendit, ka kërkuar që leximi i tretë të kalojë pa shqyrtuar asnjë amendament të opozitës, por kjo nuk është pranuar nga socialdemokratët. Sipas partisë së kryeministrit Zoran Zaev, shqyrtimi i amendamenteve nuk është i domosdoshëm, por votimi i tyre një për një duhet të bëhet, veprim ky i cili do të zgjaste me muaj. Kjo mosmarrëveshje shtyn për një afat të pacaktuar leximin e tretë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke zgjatur edhe më shumë kalvarin e gjuhës shqipe në Maqedoni. Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua më 11 janar ndërsa më 17 janar, Presidenti Gjorge Ivanov njoftoi mos dekretimin e tij nën arsyetimin se i njëjti bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe cenon karakterin unitar të shtetit. Ligji për shqipen, përveç në Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, ishte edhe njëri ndër parakushtet e subjekteve shqiptare për formimin e Qeverisë.

Sicred