KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Makron në Greqi; Të rindërtojmë Europën e Bashkuar

Makron në Greqi; Të rindërtojmë Europën e Bashkuar

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për një “rindërtim të Europës së bashkuar”, duke theksuar se “sovraniteti, demokracia dhe besimi janë në rrezik”. Macron ka shfrytëzuar vizitën në Athinë që të shpalosë vizionin e tij për atë që e quajti “Europa e re”, dhe ku fjalën e parë sipas tij, do të duhet ta kenë vetë qytetarët. Presidenti francez tha se rezultati i referendumit në Britani dhe Brexit, pasqyron ndjesinë se njerëzit “nuk e kuptojnë idenë e Bashkimit Europian” dhe se ata mendojnë që po u kërkohet vazhdimisht “të bëjnë më shumë përpjekje”, ndërsa druhen se jeta e tyre e përditshme po përkeqësohet. Macron nënvizoi se popujt europianë “nuk duhet të braktisin luftën” për vlerat e përbashkëta. Ndryshe, theksoi, Bashkimi Europian do të dobësohet apo do të vdesë, i përçarë nga konfliktet e brendshme”. Ai premtoi një hartë rrugore për rindërtimin e BE-së në muajt e ardhshëm, duke argumentuar se bashkimi i kombeve rreth Unionit është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur qytetarët nga probleme si terrorizmi apo ndryshimi klimatik. Ai kërkoi një bashkëpunim e solidaritet më të madh në Bashkimin Europian, ndërsa përsëriti thirrjen e tij për një Eurozonë të integruar, me Ministër të vetin për Financat, me Parlament të vetin dhe një buxhet autonom për të përballuar krizat e ardhshme. Vendi ku Emmanuel Macron mbajti fjalimin e tij kishte një simbolikë mjaft domethënëse. Kodra e Pnikas përballë Akropolit, ishte vendi ku mblidheshin e debatonin filozofët e Athinës antike dhe konsiderohet si djepi ku lindi demokracia. Më herët, gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Tsipras, presidenti francez vlerësoi përpjekjet e Greqisë për zbatimin e reformave të domosdoshme.

Sicred