KRYEFAQJA » LAJME » FIFA Rusi 2018 » Magjia e Botërorit “Rusia 2018” po afrohet në RTSH

Magjia e Botërorit “Rusia 2018” po afrohet në RTSH

Numërimi mbrapsht ka nisur. Ngjarja më e bukur sportive që bashkon të gjithë globin Kampionati Botëror i Futbollit “Rusi 2018” do të vijë në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve, vetëm nga ekrani i Radio Televizionin Publik .
Do të jetë një transmetim sportiv që do t’ju mbajë të mbërthyer gjatë, me emisione të posaçme dhe rubrika të përditshme dedikuar ngjarjes më të madhe sportive të momentit në glob.
“Kampionati Botëror “Rusi 2018″ është ngjarja më e rëndësishme botërore e verës. Ai do të vijë në RTSH në një standart shumë të lartë transmetimi” premton kryeredaktori i RTSH Sport Pano Xhixho. “Kjo përsa i përket takimeve të futbollit, numrit të emisioneve, të ftuarve në studio që do të jenë të veçantë. Kemi menduar që gjithçka të shkojë tek publiku ashtu siç duhet ” thotë ai.
Zoti Xhixho gjen rastin të theksojë se të gjitha transmetimet e Kampionatit Botëror “Rusi 2018” në RTSH janë falas. “Një antenë e thjeshtë dhe mund të shikosh botërorin në kanalet e platformës së RTSH” thotë kryeredaktori Xhixho.
Ai specifikon se do të jenë RTSH 1dhe RTSH Sport që do të mbajnë pjesën e luanit, por do të jenë edhe kanalet e tjera që do të përdoren gjatë ditëve të botërorit për emisione të ndryshme.
Prej 14 qershorit, ditë kur starton edhe ndeshja e parë e Kampionatit Botëror, një skuadër e madhe profesionistësh do të sjellin në ekranin e RTSH analizat teknike dhe detajet më interesante që do të ndezin atmosferën e ndeshjeve sportive.
“Do të fillojmë me emisionin e paradites, që do të jetë një emision rinor “Fan Zone”, emision me parashikimet e ditës, i titulluar “Sot në Botëror” , vazhdon me emisionin teknik që është “Studio Rusi 2018” dhe në mbrëmje do të jetë “Magjia e 21-të” se ky është botërori i 21-të” spjegon Pano Xhixho.
“Rusi 2018” do të jetë një event që sjell pranë jush emocionet e një gare spektakolare, e cila siç e do tradita do të transmetohet në Radio Televizionin Shqiptar me cilësinë më të lartë. “Në 14 qershor është ndeshja e parë e botërorit Rusia-Arabia Saudite, e cila do të pasohet nga 26 mbrëmje të tjera. RTSH do të jetë kanali i vetëm ku mund të ndiqet botërori” kujton Xhixho sportëdashësit. Ndërkaq të 64 takimet do të transmetohen në standartin më të lartë të figurës dhe të zërit, e bashkë me to padyshim emisionet dhe të ftuarit e Kampionatit Botëror, premton kryredaktori RTSH Sport Pano Xhixho.
“Eshtë hera e parë në Shqipëri që një ekran jep të gjithë botërorin, falas, pa asnjë pagesë ekstra, nuk ka nevojë për abonim, veç një antenë të thjeshtë dhe shikoni RTSH kudo ku jeni” kujton ai.
Ditët po kalojnë shpejt dhe botërori bëhet gati të ngerjë siparin vetëm në ekranin e RTSH-së.

Sicred