KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, Trump do tërheqjen e trupave nga Siria

SHBA, Trump do tërheqjen e trupave nga Siria

Shtëpia e Bardhë ka thënë se misioni i Shteteve të Bashkuara në Siri nuk ka ndryshuar, duke përsëritur qëndrimin e presidentit Donald Trump se dëshiron që trupat amerikanete kthehen ne shtepi “sa më shpejt që është e mundur”. Këto deklarata vijnë pas sulmeve ajrore që Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kryen në Siri, në kundërpërgjigje ndaj një sulmi të dyshuar kimik në Duma më 7 prill, ku u vranë dhjetëra persona. Sulmet ajrore ishin parë si sinjal të përfshirjes më të thellë të SHBA-së në konfliktin 7-vjeçar sirian. Por, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sara Sanders ka thënë se Trump “e ka bërë të qartë se ai dëshiron që forcat e SHBA-së të kthehen në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur”. “Ne jemi të përkushtuar të shkatërrojmë plotësisht grupin militant Shteti Islamik dhe të krijojmë kushte që ata të mos kthehen më”, ka thënë ajo përmes një deklarate. “Prandaj, ne presim që aleatët tanë rajonalë dhe partnerët, të marrin përgjegjësi më të mëdha, si në aspektin ushtarak dhe atë financiar, për të siguruar rajonin”, ka thënë Sanders. Komentet e Sanders vijnë pasi ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka thënë se SHBA nuk do të tërheqë trupat menjëherë, duke thënë se përfshirja e SHBA-së në Siri “nuk ka përfunduar”. Deklarata e Shtëpisë së Bardhë vjen edhe pasi presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se ai e ka bindur Trumpin që të vazhdojë të jetë i përfshirë në Siri “për një periudhë të gjatë kohore”. Macron ka thënë se “dhjetë ditë më parë, Presidenti Trump dëshironte të tërhiqej nga Siria. Ne e kemi bindur që të qëndrojë”. Ai ka shtuar se Franca dëshiron të nisë një iniciativë diplomatike për Sirinë, ku do të përfshiheshin fuqitë Perëndimore, Rusia dhe Turqia. Ndërkaq, Trump më 15 prill e ka informuar me shkrim Kongresin për vendimin e tij për të kryer sulme ajrore në Siri. Sipas ligjeve në SHBA, presidenti duhet të mbajë të informuar Kongresin për veprime të tilla.

(Visited 8 times, 1 visits today)