KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Lushnje, shtohet interesi për kultivimin e bathës

Lushnje, shtohet interesi për kultivimin e bathës

Rrugët dytësore përgjatë autostradës Lushnjë – Rrogozhinë janë kthyer në sheshe për tharjen e bathëve. Gjithçka kryhet nga fermerët nën rrezet e diellit përvëlues. Por ata thonë se mundi ia vlen edhe pse në këto kushte ekstreme. “E kemi të garantuar shitjen e të gjitha. 1000 lekë batha e mirë dhe 300 lekë ajo për blegtori” thotë një grua. “Kjo përdoret për maja buke, për çokollata. Ne po bëjmë 7-8 vjet që mbjellim. Siç na thonë kemi bërë” shton ajo duke buzëqeshur dhe duke vazhduar punën.
Një tjetër fermere thotë se “Kjo është e vështirë, por ama është me vlerë. E merr tregëtari bathën, ndërsa domatet, specat jo”. “Ja vlen për mundimin që ka, ndonëse e ka të madh. Bujqësia nuk është shumë e lehtë” shton ajo.
Sipërfaqja e mbjellë me bathë në Lushnje në dy vitet e fundit është shtuar me rreth 20 përqind. Sipas Drejtorisë së Bujqësisë në vitin 2016 me këtë bimë u mbollën 89 ha, ndërsa këtë vit janë mbjellë 100 ha. Zonat që e kultivojnë më shumë janë fshatrat Dushk dhe Grabjan. Me këto ritme, sipërfaqja e mbjellë me bathë pritet të dyfishohet vitin që vjen.