KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Lushnje, çmimet e shalqinjve në nivelin më të ulët të pesë viteve të fundit

Lushnje, çmimet e shalqinjve në nivelin më të ulët të pesë viteve të fundit

Qerim dhe Behije Pirra nuk arritën këtë vit që ta shisnin në treg prodhimin e shalqinjve. Mungesa e tregut dhe çmimi i ulët i ofuar nga tregëtarët e fruta – perimeve, e detyruan këtë familje që prodhimin t’ua hedhin gjesë së gjallë që mbarështrojnë në vite. Kështu kanë vepruar edhe shumë fermerë të tjerë në Imsht të Lushnjes.
Imshta është zona më e madhe në Myzeqe që kultivon shalqi. Këtë vit u mboll 400 hektarë. Prodhimi doli në treg në fillim të korrikut. Këtë vit ai ishte i mbarë për shkak të motit që favorizoi rritjen e bimës.
Por nëse në vjeljen e parë shalqinjtë u shitën me 10 lekë për kg, në vjeljen e dytë nuk ka patur kërkesa. Nëpër ara, fermerët kanë lënë pa vjelë prodhimin. Qindra kuintalë shalqinj po kalben.
Problemeve të çmimit, u shtohet edhe një tjetër problem i madh, infrastruktura. Aksi kryesor i rrugës është i pakalueshëm për automjetet që vijnë për të marrë prodhimet. Ndërkaq mungesa e kontratave për eksport për muajin korrik dhe tejngopja e tregut vendas, sipas specialistëve të bujqësisë në Lushnjë sollën ulje të menjëhershme të çmimeve. Gjatë kësaj jave çmimet e bostanit dhe shalqirit kanë variuar nga 3 deri në 5 lekë për kg në tregun e shumicës, duke kapur nivelin më të ulët të pesë viteve të fundit.

Sicred