KRYEFAQJA » LAJME » Lumi Kir në Shkodër, ndër zbulimet e fundit turistike

Lumi Kir në Shkodër, ndër zbulimet e fundit turistike

Lumenjtë që rrjedhin nga bjeshkët e qarkut të Shkodrës po kthehen gjithnjë e më shumë në atraksionet më të preferuara nga turistët vendas e të huaj. Gjatë gjithë këtij sezoni veror qindra pushues ditor kanë frekuentuar brigjet e lumit Kir i cili vjen nga Alpet shqiptare dhe gjarpëron përmes Postribës e kalon në periferi të qytetit të Shkodrës.
Uji i kristaltë dhe pjesët shkëmbore që ofrojne një bukuri të rrallë në shumë zona ku rrjedh ky lum, por edhe mikpritja e banorëve të zonës vlerësohet sidomos nga turistët e huaj si një nga resurset më të veçanta të zonës veriore të vendit.
“Unë vij nga Polonia. Ky është viti i 4- t që vij në Shqipëri dhe do vij sërish këtu. Është një vend shumë i bukur. Uji i lumit është shumë i ngrohtë, ndërsa në Poloni në vendet malore dhe lumenj bën shumë ftohtë” thotë një turiste polake .
Edhe një bashkëatdhetare e saj thotë se vjen çdo vit në Shqipëri. ” Është një vend shumë i mirë, uji është i pastër dhe i ngrohtë. Edhe njerëzit janë shumë mikpritës dhe të dashur me ne” .
“Mua më pëlqen të vij në Shqipëri. Është një vend mahnites, me ujë të kristaltë dhe të ngrohtë. Edhe ushqimi është shumë i mirë” vlerëson një tjetër turiste polake në Plazhin e lumit Kir .
Shkodra njihet si një qytet me mjaft resurse ku natyra ëshë treguar bujare duke i dhënë asaj bukuri të shumta. Por shumë prej këtyre resurseve përfshirë edhe brigjet e lumit Kir nuk janë shfrytëzuar më parë kjo më së shumti për shkak të infrastrukturës rrugore të papërshtashme dhe mungesës së sigurisë.