KRYEFAQJA » LAJME » Lumenjtë e Vjosës dhe Semanit të ndotur
Lumenjtë, e Vjosës, dhe Semanit, të ndotur

Lumenjtë e Vjosës dhe Semanit të ndotur

Një situatë shqetësuese është krijuar në lumin Vjosë, në segmentin që kalon pranë Novoselës. Pak kilometra nga grykëderdhja e lumit në detin Adriatik, mbetje të shumta të llojeve të ndryshme janë depozituar pa kriter mbi një vendgrumbullim plehrash. Sipas specialistëve situata mjedisore në këtë pellg po merr përmasa alarmante. Vite më parë ish komuna Novoselë është gjobitur për ndotjen e krijuar dhe mos zbatimin e kushteve për vendgrumbullimin e mbeturinave. Por tashmë është Bashkia e Vlorës që e ka nën administrim. Ajo nuk ka marrë asnjë masë për frenimin e ndotjes që po i shkaktohet zonës jo vetëm nga prania e mbeturinave, por edhe djegia e tyre. Por ajo që është më shqetësuese është fakti se mbeturinat hidhen në një zonë të mbrojtur që është bregu i lumit Vjosë. Sa herë bie shi, uji i plehërave depërton nëntokë apo derdhet edhe në lumë. Shumë fermerë të kësaj zone e përdorin ujin e lumit të Vjosës për të vaditur. Por uji i ndotur sipas specialistëve infekton produktet bujqësore. Ndotja është shqetësuese edhe në bregdetin e Semanit, e njohur për resurset natyrore që mbart. Delta e lumit me të njëjtin emër në Adriatik është e mbushtur me mijera tonë mbetje urbane. Ato vijnë në Seman edhe nga lumenjtë e Devollit, Osumit dhe Gjanicës. Rreshjet e dendura të shiut tre ditë më parë sollën edhe mbetje të shumta. Ato kanë ndotur plotësisht rërën e plazhit në vijën bregdetare. Më shqetësuese është prania e mbetjeve plastike. Situata i është bërë e ditur edhe agjencisë mjedisore, por për shkak të ristrukturimit ka humbur interesimi, vemendja e mbi të gjitha përgjegjësitë.