KRYEFAQJA » LAJME » Luftëtari-Skënderbeu, drejtpërdrejt në rrjetin e RTSH të premten(14:00)

Luftëtari-Skënderbeu, drejtpërdrejt në rrjetin e RTSH të premten(14:00)

Futbolli i luajtur kthehet të premten në fushat e blerta, me takimet e javës së 17-të të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore, që janë edhe ndeshjet e para zyrtare për vitin 2018. Ndonëse ishte planifikuar të luheshin të shtunën, për shkak të protestës së opozitës, ndeshjet janë sjellë një ditë përpara dhe, duke nisur nga ora 14:00, luhen 3 takimet e para. Kështu, Luftëtari pret Skënderbeun në ndeshjen që do të luhet në Gjirokastër dhe që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Skënderbeu vjen në këtë sfidë pasi e mbylli 2017-ën bindshëm si kryesues i renditjes, me 37 pikë, 8 më tepër sesa ndjekësja më e afërt, Flamurtari, dhe ka lëshuar vetëm dy pikë në 5 sfidat e fundit. Por, në krahun tjetër, edhe gjirokastritët e mbyllën mjaft mirë 2017-të, duke korrur 3 fitore, duke marrë një barazim dhe duke pësuar vetëm një humbje në 5 ndeshjet e fundit të vitit. Po në ora 14:00, nisin takimet Teuta-Lushnja dhe Kamza-Laçi. Dy takimet e fundit luhen në mbrëmje dhe, duke nisur nga ora 17:00, Flamurtari pret në Vlorë Partizanin, ndërsa kampionia në fuqi, Kukësi, është mysafire në Shkodër, për t’u ndeshur me Vllazninë.

Sicred