KRYEFAQJA » LAJME » Luftëtari kërkon të përsërisë sezonin e kaluar

Luftëtari kërkon të përsërisë sezonin e kaluar

Laçi do të presë Luftëtarin të shtunën në fushën e vet, një sfidë kjo që do të luhet në orën 16.45. Pas humbjes së ndeshjes së parë, me Kastriotin, te gjirokastritët është rritur vigjilenca, pasi stafi drejtues nuk mund të tolerojë më gabime. Madje një ditë më parë për RTSH Sport, drejtori teknik i Luftëtarit, Vangjel Çavo e ka quajtur ndeshjen me Kastriotin si më të dobëtën. Për të arritur te rezultati pozitiv, dyshja drejtuese e bluzinjve, Kostiç-Bonjotiç, kanë zhvilluar stërvitje intensive. Madje në stërvitjen e fundit, në minindeshjen e zhvilluar, trajneri Kostiç ka projektuar në një farë mënyre formacionin që do të hedhë në fushë në sfidën ndaj Laçit. Eduart Rroca do të jetë mungesa e radhës për Luftëtarin, lojtar i cili u dëmtua në ndeshjen me Kastriotin e do të jetë larg fushave të paktën 3-4 javë. Gjithashtu nuk do të jetë edhe mbrojtësi Jakovljeviç. Por megjithëkëto mungesa, Luftëtari kërkon tri pikët në sfidën ndaj Laçit për t’iu rikthyer kohëve të arta të sezonit të kaluar e për të harruar humbjen me Kastriotin.

Pas barazimit 1-1 me Kukësin në kampin laçian ka nisur puna për sfidën e radhës, atë me Luftëtarin. Laçi e di që përballë do të ketë një kundërshtar aspak të lehtë, me të cilin nuk i ka mbyllur mirë llogaritë në sezonin e kaluar. Ndaj kërkon revanshin që në takimin e parë të këtij viti të ri futbollistik. Drejtuesit e klubit kurbinas, këto ditë kanë zyrtarizuar firmën me sulmuesin maqedonas, Marijan Altiparmakovski. Ai do të formojë dyshen e sulmit të Laçit sëbashku me bashkëkombasin e tij Najdenov. Tashmë lojtari është vënë nën urdhërat e trajnerit Mërgjyshi dhe pritet të debutojë në sfidën ndaj Luftëtarit. Sipas statistikave të sezonit të kaluar, Luftëtari ka arritur dy fitore dhe dy barazime me Laçin. Ndaj në kampin gjirokastrit të gjithë presin që skuadra e tyre të bëjë sërish të njëjtën paraqitje edhe këtë fillimsezoni. Por a do të jetë dakort Laçi me dëshirat e Luftëtarit, pasi edhe ata kanë synimet e tyre. Këtë do ta shohim në përfundim të 90 minutave të sfidës midis Laçit e Luftëtarit.

Sicred