KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Lufta në Afganistan-Trump: “Instikti im ishte t’i tërhiqja trupat”

Lufta në Afganistan-Trump: “Instikti im ishte t’i tërhiqja trupat”

Presidenti amerikan Donald Tramp i ka hapur rrugën zbarkimit të mijëra trupave shtesë amerikane në Afganistan, duke u tërhequr nga premtimi i tij se do t’i jepte fund luftës më të gjatë amerikane. Ndërkohë, ai kritikoi aleatin e SHBA-ve, Pakistanin, që, sipas tij, u ka ofruar një parajsë të sigurtë agjentëve të kaosit, siç u shpreh ai për xhihadistët. Në fjalimin e parë zyrtar si kryekomandat i forcave të armatosura amerikane, Tramp u tërhoq nga të konsideruarit e luftës 16 vjeçare si një shpenzim i kotë parash dhe kohe, duke pranuar se gjërat dukeshin ndryshe kur shiheshin nga prapa tavolinës së punës së Zyrës Ovale. “Instikti im ishte t’i tërhiqja trupat”, pranoi Tramp duke folur për luftën ku mijëra trupa amerikane kanë humbur jetën dhe e cila u ka kushtuar taksapaguesve amerikanë triliarda dollarë. Por pas muajsh të tërë diskutimesh, Tramp tha se kishte arritur në përfundimin se pasojat e një tërheqjeje të nxituar janë të parashikueshme dhe të papranueshme, pasi kjo do të linte një boshllëk që me siguri do të mbushej nga terroristët. Ndërsa Tramp refuzoi të jepte numrin e detajuar të trupave që do dërgohen në Afganistan, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë bënë të ditur se ai ka autorizuar ndërkohë sekretarin e mbrojtjes për të zbarkuar 3 900 trupa të tjera në atë vend. Konflikti që filloi në tetor të 2001 si një gjueti për agresorët e sulmeve të 11 shtatorit, është kthyer në një përpjekje e trazuar për ta mbajtur të gjallë demokracinë e përcarë dhe të korruptuar të Afganistanit mes rebelimit brutal të talebanëve. Tramp gjithashtu paralajmëroi se përqasja do të ishte më shumë pragmatike sesa idealiste. Asistenca e sigurisë që do t’i jepet Afganistanit nuk do të ketë një çek të bardhë, theksoi ai duke paralajmëruar se nuk do ta dërgonte ushtrinë për të ndërtuar demokraci në vende të largëta apo për të krijuar demokraci sipas imazhit amerikan. Në fjalimin e tij, Presidenti amerikan gjithashtu u fokusua mbi marrëdhënien me aleatin e SHBA-ve, Pakistanin, të cilin administratat amerikane e kanë kritikuar për lidhje me talebanët dhe për strehimin e krerëve të xhihadistëve, sic ishte edhe Osama Bin Laden. “Ne nuk do të heshtim për parajsat e sigurta të organizatave terroriste në Pakistan”, tha ai, duke paralajmëruar se do të ndërpriteshin ndihmat ndaj këtij vendi. “I kemi paguar Pakistanit miliarda e miliarda dollarë ndërkohë që ata strehojnë terroristët me të cilët ne luftojmë. Kjo duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë menjëherë”, deklaroi Tramp.

Sicred