Një ditë para fillimit të debatit parlamentar për buxhetin e vitit 2017 dhe paketës fiskale që e shoqëron, Lëvizja Socialiste për Integrim, pjesë rëndësishme e qeverisë Rama, ka paraqitur rezervat e saj. Fjala është për rritjen e akcizave të gazit për automjetet, çka kjo parti e kundërshton me forcë. Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të LSI, ka depozituar në Kuvend një amendament ku argumenton: “Si propozues i këtij amendamenti gjykoj se kjo është një kosto që e rëndon buxhetin e familjarëve, pasi rritja është tepër e lartë, krahasuar kjo me çmimin aktual të gazit që përdoret për furnizimin e automjeteve të qytetarëve” shkruan zoti Vasili. “Një akcizë prej 13 lekësh/litër do të dekurajonte përdorimin e gazit natyror dhe do të vështirësonte përmbushjen e këtyre objektivave” shton ai. Sipas zotit Vasili rritja e çmimit me 25 përqind, rreth 50 lekë, do të ketë impakt edhe në mjedis. Ai kujton se sipas objektivave të paraqitura nga qeveria, 16 përqind e kontributit total të reduktimit të ndotjes, do të vinte nga zëvendësimi i benzinës me gazin natyror në automjetet shqiptare.
Prej disa kohësh shqiptarët i janë bashkuar nismës së mjaftë vendeve europiane për të modifikuar makinat e benzinës në makina me përdorim gazin si karburant. Sipas tyre, ky modifikim i cili kushton midis 700 dhe 1000 eurove, sjell uljen e ndjeshme të shpenzimeve për karburant dhe rrit shkallën e komoditetit. Por propozuesit e rritjes së akcizës thonë se bëhet fjalë për gazin që përdoret nga makinat kryesisht të luksit dhe jo gazin për nevojat familjare. Sipas tyre kjo do të disiplinonte edhe shitjen e gazit në pika të veçanta, për makina dhe konsum familjar, duke rritur shkallën e sigurisë. Por për shumë konsumatorë këto argumente nuk kanë qenë bindës. Sipas të dhënave vetëm 3 përqind e makinave me motorr benzine, janë modifikuar në makina me gaz.
