KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Londër, helmohet ish-agjenti rus

Londër, helmohet ish-agjenti rus

Një ish-agjent rus i strehuar prej 8 vjetësh në Britaninë e Madhe ndodhet në gjendje kritike për jetën pasi ka rënë në kontakt me një substancë misterioze. Sergei Skripal u gjet pa ndjenja në një stol në qendrën tregtare në Salisburi ditën e diel, bashkë me një grua të moshës 33-vjeçare. Autoritetet britanike nuk kanë dalë me një deklaratë mbi ngjarjen, por ajo dyshohet të ketë në sfond luftën e spiunazhit mes Rusisë dhe Perëndimit. Kjo, pasi koloneli Skripal, ish-oficer i shërbimeve ruse të inteligjencës, ishte dënuar me 13 vjet burg në vendin e tij për kalim informacionesh tek shërbimi sekret britanik. Ai ishte shpallur fajtor për zbardhjen e identiteteve të agjentëve rusë që punonin në fshehtësi në vende të ndryshme Europiane, por ishte liruar në bazë të një marrëveshjeje mes Moskës dhe Uashingtonit, për shkëmbimin e agjentëve të spiunazhit. Ngjarja kujton atë të ndodhur në vitin 2006, kur ish-agjenti rus Aleksander Litvinenko u helmua në rrethana të ngjashme në një lokal të Londrës, me lëndë radioaktive polonium 210.

Sicred