KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Lojrat Olimpike Dimërore mund të ulin në një takim të nivelit të lartë Korenë e Jugut dhe atë të Veriut.

Lojrat Olimpike Dimërore mund të ulin në një takim të nivelit të lartë Korenë e Jugut dhe atë të Veriut.

Koreja e Jugut është e gatshme të ulet për bisedime të nivelit të lartë me Korenë e Veriut në 9 janar, për të diskutuar lidhur me pjesëmarrjen e mundshme të vendit të izoluar në Lojrat Olimpike Dimërore.

Oferta e Seulit vjen pas deklaratës së liderit koreano-verior Kim Jong-un se ai po mendon të dërgojë një skuadër në Pyeongchang në Korenë e Jugut, për evenimentin sportv që do të zhvillohet në Shkurt. Lideri Kim u shpreh se palët duhet të takoheshin menjëherë për të diskutuar mundësinë.

Sipas liderit koreano-verior Kim Jong-un, viti 2018 është i rëndësishëm për të dy Koretë, teksa Veriu feston 70-vjetorin e themelimit dhe Jugu mirëpret Lojrat Olimpike dimërore. “Na duhet të shkrijmë marrëdhëniet e ngrira mes Veriut dhe Jugut, duke bërë që ky vit kuptimplotë të mbahet mend posaçërisht në historinë e kombit,” u shpreh Kim.

Për presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, kjo kërkesë e Koresë së Veriut është një shans për të përmirësuar marrëdhënien e tensionuar mes palëve. Ministri koreano-jugor i Bashkimit madje propozoi që përfaqësuesit e dy vendeve të takohen në Panmunjom, i ashtu-quajturi “fshati i armëpushimit”, ku palët historikisht kanë zhvilluar bisedime mes tyre.