KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ljubjanë, Gjiknuri prezanton projektet e zhvillimeve në infrastrukturë

Ljubjanë, Gjiknuri prezanton projektet e zhvillimeve në infrastrukturë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri mori pjesë në takimin e ministrave të transportit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Ljubjanë të Sllovenisë. Këtij forumi të inicuar nga Komisionerja Evropiane Transportin Violeta Bulc ju bashkua edhe Turqia, ndërsa të pranishëm në tryezë ishin dhe përfaqësues nga vende anëtare të Bashkimit Evropian si Italia, Kroacia, Sllovenia, Greqia, Rumania dhe Qipro.
“E veçanta është se përveç Komisioneres Evropiane për Transportin, këtu kishte prani edhe nga disa prej vendeve anëtare të familjes evropiane. Kjo tregon rritjen e interesit për këtë proces ashtu sikurse për përfshirjen e vendeve të tjera në ato që quhen korridore të rëndësishme europiane”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Në vlerësimin e tij, qëllimi primar i forumit ishte mbështetja e iniciativës së Bashkimit Evropian dhe vendeve tjera përsa i përket sigurisë rrugore dhe menaxhimin e kufijve. “Rasti i Shqipërisë me vendet fqinje u mbajt si model i mirë në këtë drejtim. Mu dha rasti të prezantoj projektet e qeverisë shqiptare përsa i përket sigurisë rrugore, por mbi të gjitha edhe projektet e zhvillimeve në infrastrukturë. Shpjegova edhe skemat e mbështetjes financiare nëpërmjet Partnerit Publik Privat si një nga format e përmirësimit të infrastrukturës në vend, çka u përmend edhe nga komisionerja. Gjithashtu, u fol edhe për një fond të Bashkimit Europian, që e mori përsipër komisionerja, për ta adresuar të gjitha “hot spot-et”, ato që quhen vende të rrezikshme, të gjitha nyjet e identifikuata të transportit në Evropën Juglindore”, nënvizoi ministri Gjiknuri.
Në përfundim të takimit, ministrat u dakordësuan për dy deklarata që kishin për bazë angazhimin e përbashkët në rritjen e sigurisë rrugore ashtu sikurse lehtësimin e kalimit kufitar.

Sicred