KRYEFAQJA » LAJME » Thatësira, pushuesit praktisin Liqenin e Kukësit

Thatësira, pushuesit praktisin Liqenin e Kukësit

Si rrallëherë, kjo verë e nxehtë e ka gjetur Liqenin e Fierzës mbi lumin Drin, të braktisur thuajse tërësisht nga pushuesit. Arsyeja kryesore është rënia e nivelit të liqenit në kuota ekstreme për shkak të thatësirës.
Dikur në këto brigje shikoje të pushonin qindra familjarë të Kukësit apo Prizrenit, edhe pse pa ndonjë ndërhyrje për kushtet e pushimit. Ndërsa sot aty gjen vetëm disa pensionistë që kanë improvizuar një tendë ku kalojnë nje pjese të ditës. Ata tregojnë se tërheqja e ujit ka krijuar ndotje dhe baltë duke e bërë të vështirë futjen në ujë. “Ulja e nivelit ka sjellë mbeturina, sedimente që kanë qenë mbi ujë” thotë një pushues. Ndërsa miku i tij mendon se Bashkia e Kukësit ka bërë pak për të përmirësuar situatën. “Ky është një vend shumë i mirë, por është bërë për të ardhur keq” thotë ai.
Me rënien e nivelit të ujit shumica e sipërfaqes së liqenit ka marrë një ngjyrë të gjelbër që për pushuesit konsiderohet si një ndotje. Por sipas specialistit të ujrave Arben Palushi, kemi të bëjmë me algat jeshile dhe kjo është një dukuri pozitive e shfrytëzueshme. “Ujrat e Drinit vijnë këtu me prurje biologjike dhe duke ulur shpejtësinë dhe rënë nën ndikimin e rrezeve të diellit, transformohen duke krijuar një botë tjetër” spjegon ai.
Në vitet e fundit, liqeni i Kukësit ka patur mungesë të pushuesve edhe për shkak të infrastrukturës rrugore. Gjatë ndërtimit të autostradës nuk u mendua për asnjë nënkalim apo mbikalim që njerezit të mund të kalonin nga njëra anë në tjetrën.