KRYEFAQJA » LAJME » Linja hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas, detajet e projektit

Linja hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas, detajet e projektit

Ka mbërritur në Kuvend për miratim kredia e BERZH-it, me vlerë 36.8 milionë euro, që do të përdoret për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimin e linjës së re për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Objektivat kryesore në drejtim të arritjes së rezultateve lidhen me rehabilitimin e linjës ekzistuese hekurudhore nga stacioni qendror hekurudhor Durrës deri në vendndodhjen e ardhshme të Terminalit të Transportit Publik të Tiranës (PTT) me një gjatësi 34.2 km dhe, gjithashtu, për të ndërtuar një linjë të re hekurudhore që lidh linjën kryesore me Aeroportin e Rinasit (gjatësi 4.7 km.

Projekti parashikon, gjithashtu dhe instalimin e një sistemi të ri sinjalizues dhe telekomunikacioni, të integruar në sistemin e linjës hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas.

Kredia jepet për një periudhë 15-vjeçare, bazuar në normën e referencës  plus marzhin prej 1%, ndërsa 0.5% në vit llogaritet si pagesë mbi shumën e padisbursuar të huas.

Qeveria ka çelur fazën e parakualifikimit për kompanitë që do të jenë të interesuara të zbatojnë projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, si dhe ndërtimin e lidhjes së re Tiranë-Rinas. Referuar dokumentit të shpallur nga Hekurudha Shqiptare, afati për paraqitjen e dokumenteve për fazën e parakualifikimit është 31 maj 2018. Ndërtimi duhet të bëhet 30 muaj nga nënshkrimi i kontratës.

Kostoja totale e projektit llogaritet në 90.5 milionë euro, nga të cilat 36.9 milionë euro janë siguruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe një grant nga Bashkimi Europian me 35.4 milionë lekë. Vlera e TVSH dhe kostot lokale parashikohen që të mbulohen nga qeveria.

Në fazën e ndërtimit të projektit priten të angazhohen rreth 1,375 punonjës direkt dhe indirekt, ndërsa gjatë fazës së operimit, numri do të arrijë në rreth 2,200. Është përllogaritur edhe vlera e kursimit nga qytetarët, që do të jenë në nivel 55 milionë euro në vit.

Fillimi i punimeve për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës, është projekti i parë dhe shumë i rëndësishëm për hekurudhën shqiptare në 25 vite.

Sicred