KRYEFAQJA » LAJME » Liga e Kombeve, Shqipëria nis me fitore ndaj Izraelit
Liga e Kombeve, Shqipëria nis me fitore ndaj Izraelit

Liga e Kombeve, Shqipëria nis me fitore ndaj Izraelit

Shqipëria e ka nisur me një fitore aventurën e saj në veprimtarinë më të re të futbollit evropian, në Ligën e Kombeve, duke mundur të premten 1-0 Izraelin.

Ka qenë një fillim kryesisht i qetë ai i pjesës së parë të ndeshjes së zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, por izraelitët japin shkëndijën e parë në të 5-ën, kur reagimi instinktiv i Tomas Strakoshës i ndal rrugën topit të po shkonte në rrjetë. Kuqezinjtë kundërpërgjigjen dhe në minutën e 6-të, Guri lirohet bukur në zonë me një veprim të zgjuar dhe godet në pozicion të prirët, por topi has në trupin e portierit mik dhe kthehet në lojë. Në minutën e 10-të, janë sërish miqtë që rrezikojnë, por topi i dërguar nga e majta, kalon pasqyrë tërë portën, pa u prekur nga futbollisti izraelit. Gjysëmora e lojës do të sjellë dy raste të njëpasnjëshme në portën kuqezi, por gardiani Strakosha tregohet i jashtëzakonshëm me një reagim instiktiv kur u gjet i vetëm me sulmuesin izraelit. Ndërsa në vijim, mbrojtja e Shqipërisë është apatike dhe nuk arrin ta largojë topin dhe portieri kuqezi i duhet të bëjë një tjetër grushtim të saktë, për të mbajtur të paprekur rrjetën kuqezi. Përtej një gjesti të bukur të Panuçit që nuk i ka humbur reflekset e futbollistit, është Memushaj që ka një rast të mirë për të shënuar në minutën e 37-të, ndërsa 3 minuta më pas, mbrojtja kuqezi i falet sërish portierit Strakosha, i cili, në mënyrë heroike korrigjon gabimin e shokëve të skuadrës dhe e mban të paprekur rrjetën e kuadratit të tij. Në minutën e parë shtesë, pas një aksioni rokambolesk, Shqipëria ka mundësi për të rrezikur portën mike, por mbrojtja izraelite arrin sidoqoftë ta dërgojë topin jashtë për një goditje këndi.

Pjesa e dytë nis me një rast të mirë të Memushajt, që godet me të djathtën në minutën e 50-të, por topi devijohet për një goditje këndi. Megjithatë, 5 minuta më pas është Taulant Xhaka që e kalibron bukur goditjen e tij dhe përshëndet rrjetën. Janë minuta të mira për kuqezinjtë dhe, menjëherë pas golit, Hyka jep një harkim të lartë për Balajn dhe ky i fundit, godet bukur me kokë, topi kalon ngjitur me shtyllën. E ndërkohë që provojnë të rrezikojnë edhe izraelitët me Hemedin në minutën e 61-të, një minutë më pas vjen një kundërsulm i bukur për Shqipërinë, por finalizohet keq nga Hysaj, i cili nuk godet siç duhet në hyrje të zonës, ndonëse në pozicion të volitshëm. 10 minuta më pas, Strakosha grushton një goditje nga larg, për një goditje këndi. Topi ka rrokur shtyllën pas goditjes së këndit, ndërsa dëmtohet edhe Strakosha, por pa problem për të vazhduar lojën. Në minutën e 76-të, Hyka godet zgjuarsisht në kufinjtë e zonës, por Haimov zgjatet dhe e dërgon topin jashtë për një goditje këndi. Në minutat e mbetura, Shqipëria administron lojën, ndonëse në shtesë, portierit Strakosha do t’i duhet të bëjë edhe një tjetër dalje vendimtare, për të mbajtur të paprekur rrjetën e kuadratit të tij dhe, bashkë me të, edhe fitoren e parë të Shqipërisë në këtë Ligë të Kombeve.

Sicred