KRYEFAQJA » LAJME » Liga e Evropës luan gjysmëfinalet e para

Liga e Evropës luan gjysmëfinalet e para

Arsenali nuk ka arritur të përfitojë as nga fusha e vet dhe as nga epërsia numerike për më tepër se 80 minuta lojë, duke mos shkuar dot më larg sesa një barazim 1-1 në fushën e vet përballë Atletikos së Madridit, një rezultat që u jep spanjollëve më tepër shpresë për ndeshjen e kthimit. Ndërkaq, në takimin tjetër të mbrëmjes, Olimpiku i Marsejës nuk ka lënë shumë dyshime përsa i përket ndeshjes së kthimit, teksa ka fituar 2-0 në fushën e vet ndaj Salzburgut. Liga e Evropës ka luajtur kështu të enjten aktin e parë të gjysmëfinaleve, ku shorti pati vënë përballë njëra-tjetrës Olimpikun e Marsejës dhe Salzburgun në njërin çift dhe Arsenalin e Atletikon e Madridit në çiftin tjetër. Dhe, sikundër ka bërë gjatë gjithë këtij sezoni, teksa është shndërruar në ekranin e zgjedhur sportiv të shqiptarëve, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt takimin më të spikatur të së enjtes atë që u  luajt në Londër. Skuadra e Arsenalit ka qenë më dominuese në pjesën e parë dhe Lakazetë ka qenë protagonist i vendasve me dy raste të volitshme të shkuara dëm, ndërsa në krahun tjetër, Vërsaljko i ka lënë madrilenët me 10 lojtarë brenda 10 minutash lojë, teksa ia ka dalë të marrë dy kartonë të verdhë brenda 9 minutash dhe të dalë nga loja me karton të kuq. Londinezët do ta konkretizojnë epërsinë e tyre vetëm pas një ore lojë, falë golit të Lakazetës, që përfiton nga harkimi i Uillsherit dhe e përcjell topin në rrjetë me një goditje me kokë. Megjithatë, gabimet në mbrojtje do t’i kushtojnë Arsenalit 8 minuta para fundit, teksa Grizman do të përfitojë për të shënuar golin që do të fiksojë barazimin në 1-1. Ndërkaq, në duelin tjetër të mbrëmjes, Olimpiku i Marsejës ka shënuar nga një gol për secilën pjesë loje, për të marrë një fitore 2-0 ndaj austriakëve të Salzburgut, që sidoqoftë kanë treguar se janë të aftë për supriza dhe përmbysje.

Sicred