KRYEFAQJA » LAJME » Liga e Evropës, dritëhije trukimesh në disa ndeshje

Liga e Evropës, dritëhije trukimesh në disa ndeshje

Dritëhijet e trukimeve vazhdojnë të jenë të pranishme në futbollin evropian dhe, teksa Skënderbeu pret vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës për dënimin drastik 10-vjeçar të dhënë nga UEFA, të tjera ndeshje të veprimtarive kontinentale të klubeve janë vënë nën lupën e hetimeve. Bëhet fjalë për disa ndeshje të tureve eliminatore të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës, tek të cilat janë shënuar shumë gola dhe janë zhvendosur dukshëm koeficientët e basteve. Kështu, UEFA po heton ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Ligës së Evropës, midis Sarajevës vendase dhe Atalantës. Ndeshja e parë në Itali kishte përfunduar me rezultatin 2-2, duke u dhënë shpresë boshnjakëve për një kualifikim historik. Por ndeshja e kthimit ka rezultuar diçka krejt tjetër, pasi skuadra boshnjake është shkërmoqur në shtëpi, duke pësuar plot 8 gola, 5 në pjesën e parë dhe 3 në të dytën përballë skuadrës italiane, portën e së cilës e mbron gardiani i Kombëtares kuqezi, Etrit Berisha. Nën hetim është edhe ndeshja e kthimit e Luftëtarit me letonezët e Ventspils, që u mbyll në barazim 3-3. Baltikët e patën fituar 5-0 ndeshjen e parë në fushën e vet, por në ndeshjen e kthimit në Stadiumin “Elbasan Arena”, rezultati pati përmbysje që përkuan me luhatjet e kuotave të basteve, nga 1-0, në 1-2, në 3-2 dhe në fund në 3-3. E njëjta tablo ka qenë në takimin e kthimiot Rio Ave-Jagellonia, që u mbyll në barazim 4-4, ndërsa hije dyshimi ka patur edhe për dy fitoret e kundërshtares së Kukësit në turin e 3-të, Torpedos së Kutaisit, që fitoi 3-0 në Gjeorgji në ndeshjen e parë dhe 5-0 në atë të kthimit në ishujt Faroe ndaj Vikingurit.

Sicred