KRYEFAQJA » LAJME » Liga e Europës, Skënderbeu barazon 1-1 me Jang Bojs
Liga e Europës, Skënderbeu barazon 1-1 me Jang Bojs

Liga e Europës, Skënderbeu barazon 1-1 me Jang Bojs

Është luajtur të enjten në Stadiumin “Elbasan Arena” ndeshja Skënderbeu-Jang Bojs, e vlefshme për fazën e grupeve të Ligën e Evropës, që është mbyllur në barazim 1-1.
Në takimin që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, pjesa e parë ka nisur më mirë për vendasit dhe, pas 9 minutash lojë dhe janë 3 goditje radhazi nga këndi për zviceranët. Te e treta, Xhejmsi kthen topin keq drejt portës së vet, atje ku Sanogo shfaqet para Shehit dhe vetëm një ndërhyrje e shkëlqyer e portierit veteran e shpëton Skënderbeun nga pësimi goli i parë.
3 minuta më pas (12’) edhe Skënderbeu ka mundësi për të shënuar. Pas një kundërzbritjeje të shpejtë, Gavazaj shfaqet para portierit kundërshtar por nuk arrin ta kalojë dhe përplaset me të, ndërsa aksioni shuhet me një rivënie fundore.
Loja ndërpritet për dy minuta pasi Gavazaj dhe portieri mik marrin ndihmën e parë nga stafi mjekësor, pas goditjes që ka marrë në fytyrë.
Në minutën e 23-të, vjen një pasim i saktë i Micit për Souenë, i cili shmang një mbrojtës dhe gjuan në portë, Von Ballmos kontrollon në pozicion. Vetëm një minutë më pas (24’), vjen një sulm i shpejtë në qendër i Skënderbeut, me Xhejmsin që shfaqet para portierit kundërshtar por vetëm një dalje e këtij të fundit i heq topin nga këmbët sulmuesit nigerian.
Loja bie më pas në përgjumje dhe vetëm në minutën e 35-të, pas një aksioni të gjatë të Skënderbeut në vijimin e një goditjeje nga këndi. Taku harkon nga e djathta, por largon topin një prej mbrojtësve miq, ndërsa korçarët protestojnë duke kërkuar 11-metërsh për prekje topi me dorë. Gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.
5 minuta para fundit, kundërsulmojnë rrezikshëm Jang Bojs me Sulejmanin, i cili niset i vetëm drejt zonës nga e djathta. Por gjuajtja e tij nuk gjen kuadratin e portës së Shehit duke përfunduar jashtë në të majtën e portierit.
Pjesa e parë mbyllet me Sahitit që hyn në zonë nga e majta, por gabon duke pasuar mbrapa në vend që të pasonte për Xhejmsin në qendër, duke shpërdoruar një tjetër mundësi e mirë për Skënderbeun.
Pjesa e dytë nis pa ndryshime në radhët e dy skuadrave dhe, në minutën e 47-të, Muzaka nis menjëherë një top të shpejtë para për Souenë, por portieri kundërshtar del nga zona e tij dhe largon me këmbë.
10 minuta më pas, Jang Bojs rrezikon portën e Shehit, kur Asale pason nga e majta në qendër për Aebisherin, i cili gjuan në ecje e sipër, por topin që përfundon jashtë, në të majtë të katërkëndorit korçar.
Skënderbeu do të gjejë epërsinë në minutën e 65-të, kur një pasim i shkëlqyer i Muzakës për Souenë, finalizohet me sukses nga sulmuesi, i cili realizon me një gjuajtje të shpejtë me të djathtën.
Por gëzimi i korçarëve zgjat vetëm 7 minuta. Një top nga e djathta i Ngamaleu gjen Asale të vetëm në zonë, ku sulmuesi nuk e ka të vështirë të shtyjë topin në rrjetë, duke barazuar shifrat.
10 minutat nëvijim do të shohin Skënderbeun kërkues, por të paqartë në gjetjen e golit, ndërsa në minutat e fundit të ndeshjes dhe ato shtesë janë helvetët që janë më të rrezikshme dhe vetëm reflekset e Shehit e shpëtojnë Skënderbeun nga pësimi i golit.
Sidoqoftë, mbyllet në barazim 1-1 kjo sfidë dhe Skënderbeu merr pikën e parë në këtë sezon të Ligës së Evropës, por mbetet në vendin e fundit të renditjes, me pikë të barabarta me Partizanin e Beogradit.

Sicred