KRYEFAQJA » LAJME » Liga e Europës në volejboll: Shqipëria e meshkujve marshon, femrat eliminohen
Liga e Europës në volejboll: Shqipëria e meshkujve marshon, femrat eliminohen

Liga e Europës në volejboll: Shqipëria e meshkujve marshon, femrat eliminohen

Shqipëria në volejboll për meshkuj është dëshmuar e madhe. Me dy fitore në stacionin e parë të Ligës së Evropës, që ka përfunduar të dielën në mbrëmje në Shkup të Maqedonisë, kombëtarja shqiptare ka marrë vendin e dytë në grup. Pesë pikë të grumbulluara, gjashtë sete të fituara dhe po kaq të humbura, e bëjnë kombëtaren e trajnerit Jani Melka të suksesshme me shpresën e madhe që të arrijë kalimin në finalen e Ligës së Evropës. Aq më tepër që javën e ardhshme stacioni i dytë i këtij turneu do të zhvillohet në Tiranë, nga data 23, deri më 25 qershor 2017. Dhe në ditën e fundit, edhe pse vinin nga një humbje shokuese me Maqedoninë, kuqezinjtë ia kanë dalë të jenë fitues me Azerbajxhanin, me shifrat 3-1.
Ndërkaq, ka rezultuar një zhgënjim faza e dytë e grupit A të Ligës së Evropës në volejboll për femra, pasi Shqipëria ka dështuar edhe në ndeshjen e tretë, të zhvilluar të dielën. Vajzat u mundën në 4 sete në Minsk përballë përfaqësueses së Austrisë, duke e mbyllur sidoqoftë në vendin e 3-të të renditjes së grupit, me 6 pikë, 3 më tepër sesa Austria. Në takimin e para një jave, të zhvilluar në Tiranë, Shqipëria e pati mundur 3-1 Austrinë. Por, në ndeshjen e kthimit, të zhvilluar në kryeqytetin bjellorus, austriaket janë hakmarrë, duke fituar me të njëjtat shifra. Takimi i zhvilluar pasdite në Pallatin e Sportit “Çizhovka Arena” të Minskut ka folur kryesisht për austriaket, të cilat i kanë marrë të dy setet e para me të njëjtat shifra, 25-16. Shqipëria, e cila ka qenë deri në atë moment hije e vetvetes, ringjallet në setin e 3-të, të cilin e kryeson dhe e fiton 25-18. Edhe në setin e 4-t, janë vajzat kuqezi të trajnerëve Altin Martiri dhe Roland Tarja që kryesojnë, madje deri pas pushimit të dytë teknik. Por mungesa e përqendrimit bën që Austria të përmbysë dhe ta fitojë edhe setin e 4-t 25-23 dhe gjithë ndeshjen 3-1.

Sicred