KRYEFAQJA » LAJME » Liga Ballkanike e Regbisë, Tirana përballë Radniçkit

Liga Ballkanike e Regbisë, Tirana përballë Radniçkit

Klubi i Regbisë “Tirana”, e cila do të marrë pjesë për herë të parë në Ligën Ballkanike të këtij sporti, ka njohur tanimë edhe skuadrat që do të ketë përballë në fazën e grupeve. Shorti, i hedhur në Beograd, i ka vënë bardheblutë në grupin C, ku përballë do të kenë një sfidante serbe, në trajtën e Radniçkit të Nishit, dhe një sfidante greke, që është Patras Panters. Madje Klubi i Regbisë “Tirana” ka mësuar tashmë edhe kalendarin e ndeshjeve, teksa do të presë më 17 mars 2018 në kryeqytet grekët e Patras Panters, për të vijuar 3 javë më pas, më 14 prill 2018, me vizitën që do t’u bëjë serbëve të Radniçkit në Nish.
Kjo veprimtari rajonale e zgjeron kështu gjeografinë e saj në 2018-ën, ndërsa është konfirmuar se tanimë 15 ekipet pjesëmarrëse do të vijnë nga Shqipëria, Turqia, Greqia, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria dhe Serbia. Kështu, përveç grupit C, ku ndodhet Tirana, do të përballen me njëra-tjetrën në grupin A, serbët e Radniçkit të Beogradit, boshnjakët e Uorriërs të Banja Lukas, dhe kampionia e Turqisë, që do të mësohet pas 27 janarit 2018, kur të mbarojë edhe kampionati vendas, ndërsa në grupin B, serbët e Partizanit të Beogradit, bullgarët e Lokomativës së Sofjes dhe grekët e Aris Eagles.
Në grupin D do të ndeshen me njëra-tjetrën serbët e Dorkolit të Beogradit, boshnjakët e FIS Vitezit dhe malazeët e RLC Montenegros, ndërsa në grupin E, apo grupin e fundit, do të ndeshen serbët e Cërvena Zvezdas, me grekët e “Rhodes Knight Rugby” dhe nënkampionia e Turqisë. Më tej kualifikohen 5 të parat e çdo grupi, që formojnë më pas një grup të vetëm. Në përfundim të tij, 3 të parat shkojnë direkt në gjysmëfinale, ndërsa vendi i 4-t dhe i 5-të ndeshet për biletën e fundit gjysmëfinale.

Sicred