KRYEFAQJA » LAJME » Legjionarët, e dielë kontrastesh për kuqezinjtë e Serisë A

Legjionarët, e dielë kontrastesh për kuqezinjtë e Serisë A

E diela ka sjellë edhe një derbi shqiptar në nivelin më të lartë të kampionatit italian të futbollit, në Serinë A, pasi Atalanta dhe Lacio janë përballur me njëra-tjetrën në takimin e vlefshëm për javën e 17-të. Kështu, është mbyllur në barazim 3-3, derbi i portierëve shqiptarë, mes Atalantës dhe Lacios. Një ndeshje spektakolare, me plot 6 gola të shënuar, por që në fund i dha të dy ekipeve nga një pikë. Ishin vendasit e Atalantës ata që kaluan dy herë në epërsi, me Kaldaran dhe Iliçiçin që në 20 minutat e para, por më pas, dy golëshi i talentit serb, Milinkoviç-Saviç, riktheu shifrat në barazpeshë. Me këtë barazpeshë do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa me fillimin e të dytës, ishte përsëri Iliçiç ai që realizoi me 11-metërsh, me Thomas Strakoshën që nuk mund të bënte asgjë. Teksa ekipi i Etrit Berishës po shkonte drejt fitores, Luis Alberto shënoi golin e tretë për Lacion, dhe të barazimit. Pas javës së 17-të, Lacio gjendet në vendin e 5-të në renditje, me 33 pikë, ndërsa Atalanta renditet e 7-ta, me 24 pikë të grumbulluara. Ndërkaq, Krotone e Arlind Ajetit ka marre një fitore të vlefshme 1-0 në shtëpi ndaj Kievos, ndërsa vetë mbrojtësi i Kombëtares ishte protagonist me një pasim për gol. Krotone e ka mbyllur me fitoren 1-0 pjesën e parë dhe goli u shënua në minutën  e 33-të nga Budimiri, pas një pasimi të qendërmbrojtësit kuqezi. Ajeti gjithashtu u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 12-të të ndeshjes, ndërsa Krotone është ngjitur në vendin e 16-të, me 15 pikë. Ndërkaq, skuadra tjetër e dy lojtarëve të Kombëtares, Benevento e Gjimshitit dhe Memushajt, është mundur 1-2 në fushën e vet nga SPAL-i, në një takim ku futbollistët kuqezi kanë luajtur gjatë gjithë ndeshjes. Pas një pjese të parë pa gola, Benevento kaloi e para në epërsi, falë një autogoli të Kremonezit në minutën e 59-të, por Flokari ka barazuar 5 minuta më pas, duke vijuar të shënojë edhe golin e dytë personal në këtë takim, në minutën e 73-të, duke i dhënë fitoren 2-1 që e ngjit në kuotën e 14 pikëve, në vendin e 18-të, ndërsa Benevento mbetet e fundit, me një pikë të vetme nga këto 17 javë të Serisë A.

Sicred