KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Lavrov: Londra nuk mund të injorojë Moskën
Lavrov: Londra nuk mund të injorojë Moskën

Lavrov: Londra nuk mund të injorojë Moskën

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, u shpreh këtë të enjte se Londra nuk mund të injorojë pyetjet legjitime të Moskës mbi helmimin e ish spiunit Skripal, ndërsa bëri thirrje për një hetim thelbësor dhe të përgjegjshëm të çështjes. “Nuk do të jetë e mundur të injorosh pyetjet legjitime që ne po bëjmë” u shpreh ai pak orë para takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili mblidhet sot për të diskutuar krizën diplomatike mes Rusisë dhe perëndimit. Moska këmbëngul për një hetim thelbësor dhe të përgjegjshëm në përputhje me Konventën e Armëve Kimike, shtoi Lavrov.
Londra është shprehur se ka shumë mundësi që Rusia të jetë fajtore për helmimin e ish-agjentit të dyfishte Skripal dhe Vajzës së tij Julia. Moska ka mohuar çdo përfshirje. Ndërkohë, mosmarrëveshja mes dy vendeve është pasuar nga një valë masive dëbimesh diplomatike nga Britania dhe aleatët e saj, cka mori kundërpërgjigjen e Rusisë. Rusia kërkoi të zhvillohej takimi i agjencisë globale që vëzhgon armët kimike, por dështoi në pranimin e kërkesës së saj t’iu bashkuar hetimit britanik. Pas kësaj, Moska kërkoi që sot të mblidhet Këshilli i Sigurimit. Britania po ndërmerr hetimin mbi çështjen Skripal me asistencën e pavarur teknike të ekspertëve të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Ndërkohë ministri i jashtëm rus u shpreh se presidenti i vendit të tij kishte theksuar se Rusia ishte gati për punë të përbashkët dhe se kishte bërë thirrje që situata të shqyrtohej në një mënyrë të drejtë, me paraqitjen e provave. Lavrov ritheksoi se Rusia e konsideron refuzimin nga Britania për t’i dhënë ekspertëve rusë akses në hetim si një tallje të ligjit ndërkombëtar si dhe injorancë të etikës diplomatike dhe mirësjelljes elementare. Ai theksoi se rasti Skripal ishte një preteks, ndoshta i sajuar, për dëbimin e pabazë të diplomatëve, duke sugjeruar se Rusia po pretendon se helmimi nuk ka ndodhur ashtu siç është raportuar nga Londra. Lavrov gjithashtu e lidhi helmimin me pretendime të tjera të hedhura kundër Rusisë, që nga përfshirja në zgjedhjet amerikane e deri tek sulmet me armë kimike të ndërmarra nga regjimi sirian që mbështetet ushtarakisht nga Rusia, duke u ankuar se Moska po përballet me akuza të pabaza.

Sicred