KRYEFAQJA » LAJME » Kuvendi i Kosovës, seancë e jashtëzakonshme kundër Thaçit
Kuvendi i Kosovës, seancë e jashtëzakonshme kundër Thaçit

Kuvendi i Kosovës, seancë e jashtëzakonshme kundër Thaçit

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të martën në një seancë të jashtëzakonshme, ku partitë e opozitës pritet të propozojnë një rezolute kundër rishikimit të kufijve, propozim ky i presidentit Hashim Thaçi. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha një ditë më parë se debati në Kuvend do të ketë vetëm një rend dite. “Proceduralisht, kemi vepruar në bazë të një kërkese të deputetëve. Do ta kemi seancën e jashtëzakonshme nesër me një pikë të rendit të ditës. Sa i përket komenteve politike, do t’i themi nesër ato për arsye se e kemi seancën” tha zoti Veseli.
Kryetari i grupit parlamentar të LDK Abdulla Hoti, ftoi deputetët e opozitës dhe të mazhorancës të votojnë rezolutën. “Unë pres që nesër mbështetja për këtë rezolutë të planifikuar për t’u aprovuar të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare, pa përjashtim, të opozitës dhe koalicionit qeverisës sepse është në të mirë të qytetarëve të vendit.Është informatë e mirë dhe qëndrim i mirë që u dërgohet miqve tanë ndërkombëtarë, që na kanë ndihmuar të vijmë deri në këtë pikë, që vullneti i qytetarëve të shprehet përmes deputetëve të Kuvendit. Mbi të gjitha, është sinjal i qartë për presidentin e vendit se ai duhet të ndalet me veprimet e tij anti-kushtetuese’ tha zoti Hoti.
Seanca e sotme zhvillohet në prag të 7 shtatorit kur është parashikuar takimi në Bruksel mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksander Vuçiç, nën drejtimin e shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini. Temë kryesore është korrigjimi i kufijve.

Sicred