KRYEFAQJA » LAJME » Kuvendi i Kosovës nderon Demaçin
Kuvendi i Kosovës nderon Demaçin

Kuvendi i Kosovës nderon Demaçin

Kosova ka nderuar sot mes dhimbjes së thellë kujtimin veprimtarit të shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaci, i cili ndërroi dje jetë në moshën 82 vjeçare. Në një ceremoni të vecantë të zhvilluar nga Kuvendi i Kosovës, kryetari Kadri Veseli u shpreh se, Demaçi ishte ndërgjegja e lëvizjes kombëtare për çlirimin e Kosovës. “E burgosën, e izoluan, e dënuan, e ri-dënuan, 28 vjet pandërprerë. Por, nuk e thyen. Nuk e bënë për vete. Adem Demaçi e kishte mposhtur frikën nga pushtuesi dhe me guximin e tij ai e mësoi një popull të tërë ta mposhtë frikën. Këtu nisi liria, sepse një popull që nuk i frikësohet pushtuesit, ai domosdo do ta fitojë lirinë” tha zoti Veseli.
Për nënkryetaren e parlamentit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, me Demaçin, Kosova ka humbur një nga martirët e saj. Ndërsa Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, theksoi se trashëgimia që Demaci lë pas do të ruhet, nderohet dhe vazhdohet.
Për angazhimin e tij politik për çështjen kombëtare dhe për shkëputjen e Kosovës nga ish-Jugosllavia, Demaçit iu desh të kalonte 28 vjet në burg, që me të drejtë i dhanë emrin Nelson Mandela i Kosovës. Pasi u lirua nga burgu në vitin 1990, ai shërbeu deri në vitin 1995 si një aktivist i të drejtave të njeriut, duke raportuar për abuzimet e kryera nën regjimin e Slobodan Millosheviçit. Në vitin 1991, Demaçi fitoi çmimin ‘Andrei Sakharov’ të akorduar nga Parlamenti Europian, për punën e tij për të drejtat e njeriut. Viteve 1998 -1999, kur në Rambuje mbaheshin takimet për të ardhmen e Kosovës, Demaçi ishte zëdhënës politik i UÇK-së.
Trupi i pajetë i aktivistit të shquar do të përcillet nesër për në banesën e fundit.

Sicred