KRYEFAQJA » LAJME » Kushtetuesja: Në Shtator vendimi për Reformën në Drejtësi
Kushtetuesja: Në Shtator vendimi për Reformën në Drejtësi

Kushtetuesja: Në Shtator vendimi për Reformën në Drejtësi

Gjyqtarët do të presin datën 28 Shtator për të mësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tre nga shtatë ligjet themelore të Reformës në Drejtësi. Kjo pasi Shoqata dhe Unioni i gjyqtarëve i kanë kërkuar gjykatës të shpallë antikushtetues një sërë nenesh të këtyre ligjeve. Seanca e së mërkurës në Gjykatën Kushtetuese u zhvillua me dyer të mbyllura dhe vetëm administroi dokumentacionin e paraqitur nga shoqatat e gjyqtarëve.
Analistët vërejnë se koha kur Kushtetuesja do të ktheje përgjigje për ankesat kundër ligjeve të Reformës në Drejtësi është shumë interesante politikisht. Vendimi i pritshëm në fund të muajit Shtator përkon me kohën kur organet e reja të Vettingut që kanë nisur punën, do të kenë zbardhur sipas Reformës në Drejtësi një pjesë të mirë të rezultateve për pastërtinë e figurës së Gjykatësve dhe Prokurorëve.
Fundi i Shtatorit gjithashtu përkon me nisjen nga puna të Parlamentit të ri dhe të qeverisë së re.
Kjo është hera e dytë kur ligji i Vettingut ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. Herën e parë gjyqtarët supremë rrëzuan padinë e PD duke lenë në fuqi ligjin kryesor që pritet të pastrojë drejtësinë në Shqipëri.

Sicred