KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Kurora e artë e Festivalit 56-të në RTSH

Kurora e artë e Festivalit 56-të në RTSH

Festivali i Këngës në RTSH është festivali i tretë më i vjetër në botë. Ky fakt qëndron në themelin e konceptit që skenografi Albi Çifligu ka patur parasysh që në skicimin e ideve të para për shtëpinë nga e cila do të luhet muzika shqiptare më e bukur e një viti dhe ku do të ngjiten artistët të cilët na prezantojnë krijimet e tyre. Në funksion të kësaj ideje ai ka përcaktuar çdo detaj, që nga metafora, linjat, ngjyrat dhe funksioni i çdo elementi. “ Unë kur mendoj për festivalin mendoj gjënë më të bukur, më të mirë, më me shumë shkëlqim dhe kam dashur personalisht ti jap shkëlqim me materialet dhe me skenografinë vet. Përsa i përket kurores, kurora simbolizon edhe shtëpinë e vet festivalit, aty ku do performojnë dhe vet këngëtarët, aty ku do bëhet shfaqja, aty do bëhen baletet do ndihen të gjithë në shtëpinë e tyre” tha skenografi Albi Çifligu. Grupi krijues i festivalit së bashku me skenografin kanë marrë një vendim që orkestren ta vendosin në pozicionin e saj klasik poshtë skenes duke i dhënë më tepër hapësirë baletit, koreografive dhe frymëmarrje performances së artistëve. “ Është vendim shumë i guximshëm, absolutisht po që është një vendimarrje shumë e vështirë jo vetëm nga unë por nga të gjithë njerëzit që jemi marrë me konceptimin e projektit. E mira është që pallati na ofron vendin natyral të orkestrës që kur është projektuar para shumë vitesh. Kemi dashur që të kemi balet masive, të kemi hapësirën më të madhe për këngëtarët, të kemi një teknologji të fundit me rreze drite të cilave iu nevojitet distanca e duhur prandaj kemi dalë në konkluzionin që orkestra të vihet në vendin e vet natyral” theksoi më tej skenografi Albi Çifligu. Ndërsa puna për realizimin e kurores së artë poshtë së cilës do të qëndrojnë artistët më të mirë shqiptare është intensive, publiku mund të përgatitet për një spektakël muzikor dhe televiziv të kuruar deri në detaje, nga skenografia te kostumet, ndriçimi, audio, regjia e Pali Kukes e deri te dashuria dhe profesionalizmi me të cilën do ti presë Adi Krasta të ftuarit dhe protagonistët e këtij festivali.

Sicred