KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Kuponi tatimor dhe fshehja e xhiros së biznesit

Kuponi tatimor dhe fshehja e xhiros së biznesit

Jemi të kënaqur me taksat që mbledhim, sidomos me tatimin mbi vlerën e shtuar, që është një taksë që e paguajnë konsumatorët, pra qytetarët. Por kjo e ardhur nuk e mbulon fshehjen e xhiros së bizneseve: 40 për qind e tyre pohuan në një sondazh se tentojnë të fshehin të ardhurat, duke thënë se kjo praktikë përdorej në “më të shumtën e rasteve”. Shikoni këtë grafik. Krahason të ardhurat nga TVSH e brendshme, pra TVSH e kuponave fiskale mes viteve 2011-2015. Rritja është e dukshme. Kjo rritje i atribuohet aksionit kundër informalitetit, që e kërkoi vetë sipërmarrja shqiptare. Tani këto të dhëna mungojnë! Ky është njoftimi i pak kohëve më parë që publikoi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Shihet qartë që risjellja në kujtesë e kuponit tatimor shfaq një defekt të administratës fiskale, atë të mos mbledhjes së plotë të tatimit të brendshëm të vlerës së shtuar. Rritja e importeve të energjisë, mineraleve etj, në një treg të favorshëm çmimesh konjukturale ndërkombëtare të muajve të fundit, ka sjellë realizimin e TVSH në importe dhe ka mbuluar “zhdukjen” e kuponit tatimor. Pra plani është realizuar, ndërsa xhiro është fshehur. Ekspertët theksojnë se “nuk ka sens të përfshihet TVSH e importit” në përformancën e tatimorëve. Kush përfiton më shumë nga mosraportimi i plotë i xhiros? Jo bizneset e vogla, por ato të mëdha. Sa më shumë xhiro nuk raportohet nga bizneset e vogla, aq më shumë tunele kanë në dispozicion bizneset e mëdha për të kanalizuar lumin e tyre të mallrave, që i kanë shpëtuar sitës së TVSH-së. Në Shqipëri, të ardhurat nga TVSH-ja janë sa 9% e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në Malin e Zi të ardhurat nga TVSH-ja janë sa 12% e vlerës së PBB. Pra Shqipëria ka një rendiment të mbledhjes së TVSH-së sa 2/3 e Malit të Zi. Pse ndodh kështu? A mos Mali i Zi zbaton një normë TVSH-je më të lartë se Shqipëria? Përkundrazi, norma atje është 0% për zanatçinjtë, ambulantët, kioskat, farmacitë, ambulancat dhe spitalet, 7% për mallrat e shportës së domosdoshme, dhe 19% për të tjerat, ndërsa tek ne është 20%, me disa përjashtime.

Sicred