KRYEFAQJA » LAJME » Kupat e Evropës, Kukësi për kualifikim në Azerbaixhan, Laçi përmbysjen e vështirë
Kupat e Evropës, Kukësi për kualifikim në Azerbaixhan, Laçi përmbysjen e vështirë

Kupat e Evropës, Kukësi për kualifikim në Azerbaixhan, Laçi përmbysjen e vështirë

Edhe pse me një kontingjent të përgjysmuar, vera vazhdon për ekipet shqiptare në Kupat e Evropës, dhe kjo mesjavë pritet të jetë vendimtare sa i përket vazhdimit të dy ekipeve të mbetura.
Natyrisht, më i favorizuar duket Kukësi, që, përtej një ndeshjeje të mërzitshme dhe të luajtur nën nivelin mesatar, ka marrë një barazim të bardhë, por të vyer, në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminator të Ligës së Kampioneve, përballë Karabagut. Skuadra e drejtuar tanimë nga trajneri Armando Cungu shkon në ndeshjen e kthimit në Azerbajxhan e ndërgjegjshme se çdo gol i shënuar atje të mërkurën në mbrëmje, nënkupton se kundërshtari duhet të shënojë një më tepër për t’u kualifikuar. Ndonëse skuadra azere, në radhët e së cilës militon edhe ish-kapiteni kuqezi, Ansi Agolli, mbetet favorite për ndeshjen e kthimit, duke qenë edhe me më tepër përvojë në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të kontinentit dhe duke qenë se luan në shtëpi, Kukësi prapëseprapë i ka shanset e veta për një kualifikimin për në fazën tjetër.
Ndërkaq, i vështirë duket ky mision për Laçin në turin e dytë të Ligës së Evropës, kur të përballet të enjten me norvegjezët e Moldes. Pavarësisht humbjes me rezultatin 0-3 në Norvegji para një jave, trajneri Besnik Prenga premtoi se në ndeshjen e kthimit do të luftojnë deri në fund dhe skuadra do të japë 200%. “Jam i zhgënjyer për rezultatin sepse e kishim përgatitur ndryshe ndeshjen. Gjithsesi në Shqipëri do të jetë një ndeshje tjetër. Ne do të luftojmë deri në fund, madje do të japim 200%”, – ka deklaruar trajneri i Laçit. Megjithatë, përmbysja është një mision i vështirë për kurbinasit.

Sicred