KRYEFAQJA » LAJME » Kupa e Shqipërisë, sonte (18:00) Tirana-Vllaznia, direkt në RTSH

Kupa e Shqipërisë, sonte (18:00) Tirana-Vllaznia, direkt në RTSH

Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, luan sot ndeshjet e para të turit të 16-shes dhe në lojë janë 10 skuadra të Kategorisë Superiore dhe 6 skuadra të Kategorisë së Parë. Shtatë nga 8 ndeshjet e sotme luhen duke nisur nga ora 14:00 dhe Besëlidhja përballet me Skënderbeun, Bylisi pret Luftëtarin, ndërsa në një duel të skuadrave të Kategorisë Superiore, Kamza ndeshet me Teutën. Erzeni ka një sfidë të vështirë me kampionen në fuqi, Kukësin, ndërsa në dy duele të tjera midis ekipeve të Kategorisë së Parë dhe asaj Superiore, Turbina sfidon Flamurtarin, kurse Pogradeci Partizanin. Një tjetër duel midis ekipeve të Superiores, Lushnja përballet me Laçin, kurse sfida më e spikatur e turit të 16-shes është ajo që do të luhet në mbrëmje, midis Tiranës dhe Vllaznisë. Kjo ndeshje, e quajtur ndryshe si derbi historik i futbollit shqiptar, është edhe një përsëritje e asaj ndeshjeje të fundit të sezonit të shkuar në Shkodër. Pas barazimit 0-0, Tirana ra, për herë të parë në histori, në Kategorinë e Parë, por bardheblutë janë fitues në fuqi të Kupës së Shqipërisë dhe do ta synojnë ta mbrojnë atë, si një biletë për të siguruar Evropën sezonin e ardhshëm. Ndeshja Tirana-Vllaznia do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.