KRYEFAQJA » LAJME » Kupa e Shqipërisë përcakton çerekfinalistët
Kupa e Shqipërisë përcakton çerekfinalistët

Kupa e Shqipërisë përcakton çerekfinalistët

Kupa e Shqipërisë ka luajtur ndeshjet e kthimit të turit të 16-shes, duke përcaktuar edhe 8 skuadrat që vazhdojnë më tej betejën për trofeun e dytë të futbollit në vend. Dhe këto skuadra janë të 8-ta të Kategorisë Superiore, pasi 6 skuadrat e Kategorisë së Parë që kishin mbetur në valle, u eliminuan. Kështu, në takimin më të spikatur të këtij turi, atë që u luajt në Vlorë midis Flamurtarit dhe Tiranës, pamje të së cilit na përcjell kjo kronikë, vendasit kanë fituar me një gol të vetëm. Por kjo nuk ka mjaftuar për t’u siguruar vlonjatëve kalimin në çerekfinale, pasi kryeqytetasit e kishin fituar ndeshjen e parë në shtëpi me rezultatin 2-0. Ndërkaq, një gol në shtëpi i ka mjaftuar Kamzës të fitojë ndaj Vllaznisë dhe të kualifikohet, falë golit të shënuar në humbjen 1-2 të pësuar para dy javësh në takimin e parë të luajtur në Shkodër. Përmbysje të humbjes së parë ka bërë edhe Kukësi në kryeqytet ndaj Apolonisë, duke triumfuar 3-0 në ndeshjen e kthimit dhe duke e bërë të pavlefshme fitoren 2-1 të fierakëve në shtëpi para dy javësh. Rezultatin e ndeshjes së parë e përmbysi edhe Laçi, që fitoi 3-0 në fushën e vet dhe zhbëri kështu atë humbje të pësuar para dy javësh në Ballsh ndaj Bylisit vendas. Në takimet e tjera, Partizani, Skënderbeu dhe Teuta i kanë fituar edhe ndeshjet e kthimit, përkatësisht ndaj Kastriotit, Besëlidhjes dhe Lushnjës, ndërsa Luftëtari u mjaftua me një barazim të bardhë në shtëpi ndaj Egnatias për të mbrojtur atë fitore 3-0 të arritur para dy javësh në Rrogozhinë. Kështu, çiftet çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë, të cilat luhen më 13 dhe 27 mars 2019, janë, në grupin A, Partizani-Luftëtari dhe Kamza-Skënderbeu, dhe, në Grupin B, Kukësi-Teuta dhe Tirana-Laçi .

Sicred