KRYEFAQJA » LAJME » Kupa e Shqipërisë, hidhet shorti i gjysëm finaleve
Kupa e Shqipërisë, hidhet shorti i gjysëm finaleve

Kupa e Shqipërisë, hidhet shorti i gjysëm finaleve

Veprimtaria e dytë më e rëndësishme e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka hedhur të mërkurën shortin e gjysmëfinaleve të saj, duke përvijuar dy betejat e fundit drejt finales së madhe. Shorti u hodh në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit në kryeqytet, në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Ilir Shulku, dhe Shefit të Sektorit të Garave, Lysjen Nurishmi, si dhe të përfaqësuesve të 4 klubeve gjysmëfinaliste.
Në përfundim të hedhjes së shortit, goglat kanë përcaktuar në çiftin e parë gjysmëfinal, Skënderbeu përballet me Flamurtarin, ndërsa në çiftin tjetër, Laçi ndeshet me Kukësin. Ndeshjet e para të gjysmëfinaleve do të luhen më 5 prill, ndërsa ato të kthimit më 18 prill 2018.
Duhet theksuar në fazën gjysmëfinale të edicionit të 66-të në këto 80 vjet jetë të Kupës së Shqipërisë, si rrallë herë, mungojnë Tirana, Partizani, Dinamo dhe Vllaznia, skuadrat që e kanë fituar së bashku plot 50 herë këtë trofe.
Nga 4 skuadrat gjysmëfinaliste, më tepër, 4 herë, e ka fituar Flamurtari, që eliminoi në çerekfinale Partizanin, i ndjekur nga Laçi, që mposhti në çerekfinale Luftëtarin dhe e ka fituar 2 herë këtë trofe. Kampionia në fuqi, Kukësi, që në çerekfinale triumfoi ndaj fitueses në fuqi të Kupës, Tiranës, e ka fituar vetëm një herë këtë trofe, para dy sezonesh. Ndërkaq, gjysmëfinalistja e fundit, Skënderbeu, është ende në kërkim të trofeut të parë të Kupës së Shqipërisë, pavarsisht se ka shkuar 5 herë deri në finale.

Sicred