KRYEFAQJA » LAJME » Kupa e Shqipërisë, çerekfinalistët janë nga superiorja

Kupa e Shqipërisë, çerekfinalistët janë nga superiorja

Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur të mërkurën ndeshjet e kthimit të turit të 16-shes, duke përvijuar edhe 8 skuadrat çerekfinaliste, të cilat janë të gjitha të Kategorisë Superiore. 6 skuadrat e mbetura të Kategorisë së Parë u eliminuan.
Ndeshja e përzgjedhur për t’u sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka qenë ajo që u luajt në Durrës, midis Teutës dhe Kamzës dhe të u fitua nga vendasit me rezultatin e thellë 4-0. Ndeshja e parë, e luajtur para dy javësh në Kamëz, ishte mbyllur në barazim 1-1.
Ndërkaq, interesante ka qenë edhe përballja e Shkodrës, ku Tirana shkoi pas fitores 2-0, të korrur në ndeshjen e parë në kryeqytet me Vllazninë dhe arriti të kualifikohej, pavarsisht se u mund 0-1 në Shkodër. Në duelet e tjera, Besëlidhja është ishte mundur minimalisht në ndeshjen e parë përballë Skënderbeut, çift ky që ndeshjen e kthimit nuk e luajti në Korçë, por në Kavajë dhe korçarët fituan 3-1.
Po kështu, edhe dueli Kukësi-Erzeni, ku verilindorët patën fituar 4-1 në Shijak në ndeshjen e parë, e ka luajtur ndeshjen e kthimit në Pezë-Helmës dhe skuadra e trajnerit Mlladen Milinkoviç ka fituar me shifrat 5-1.
Bylisi e kishte fituar 2-1 ndeshjen e parë ndaj Luftëtarit, por nuk është paraqitur të mërkurën në Gjirokastër për ndeshjen e kthimit dhe duket se ua ka “falur” biletën e çerekfinaleve bluzinjve.
Ndërsa në një tjetër duel midis ekipeve të Kategorisë së Parë dhe asaj Superiore, Turbina u shpartallua 1-6 nga Flamurtari në ndeshjen e parë, në një çift ku, siç pritej, ndeshja e kthimit ishte një formalitet pasi vlonatët kanë fituar me shifrat 5-2.
Një tjetër duel midis ekipeve të Superiores është ai ku Lushnja ishte mundur 1-3 nga Laçi në ndeshjen e parë, dhe ndonëse e ka fituar minimalisht ndeshjen e dytë, janë kurbinasit që kualifikohen për më tej.
Sfida e fundit ishte ajo Partizani-Pogradeci, ku të kuqtë kryeqytetas erdhën pas fitores minimale të korrur në fushë të huaj në ndeshjen e parë, duke vijuar t’i shtojnë asaj edhe në fitore 3-0 të arritur në Kamëz. Kështu, 4 çiftet e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, që ndeshjet e para i luajnë më 31 janar, ndërsa ato të kthimit më 14 shkurt të vitit të ardhshëm, janë Tirana-Kukësi dhe Teuta-Skënderbeu, në grupin A, dhe Flamurtari-Partizani dhe Laçi-Luftëtari në grupin B.

Sicred