KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kupa e Konfederateve, Gjermani – Meksikë, takim egzaktësisht pas 12 vjetësh
Kupa e Konfederateve, Gjermani - Meksikë, takim egzaktësisht pas 12 vjetësh

Kupa e Konfederateve, Gjermani – Meksikë, takim egzaktësisht pas 12 vjetësh

Rastësia është me të vërtetë mbreti i botës dhe kjo dëshmohet edhe në futboll. Gjermania dhe Meksika përballen të enjten me njëra-tjetrën, në duelin e dytë gjysmëfinal të edicionit të 10-të të Kupës së Konfederatave. Duket një përkim interesant, por edhe para 12 vjetësh, teksa Gjermania dhe Meksika luanin me njëra-tjetrën në duelin për vendin e 3-të dhe të 4-t Kupës së Konfederatave në 2005-ën, data shënonte 29 qershor. Ajo sfidë, ku trajneri aktual Joakim Lëv ishte ndihmës i Jurgen Klinsmanit, dhuroi spektakël nga fillimi deri në fund, me gjermanët që triumfuan 4-3 në shtesë pas një goli të Mikael Balakut.
Megjithatë, që nga ajo kohë ka rrjedhur shumë ujë në lumenjtë e futbollit të të dyja skuadrave. Ato vijnë në përballjen e së shtunës me dy qasje të ndryshme, por me një qëllim të njëjtë. Si gjermanët, ashtu edhe amerikanoqendrorët e synojnë trofeun, por mënyra sesi kanë ardhur deri këtu ka dallime.
Kampionët e botës i kanë besuar një grupi mjaft të ri lojtarësh dhe pa përvojën të pasur ndërkombëtare, por që ka treguar se është në lartësinë e kërkuar, duke bërë që trajneri Joakim Lëv të marrë përgëzime për zgjedhjen e tij. Lëv ka lënë në shtëpi një numër titullarësh të sprovuar ndërkombëtarë dhe ka marrë me vete një kontingjent të ri lojtarësh kryesisht të panjohur në këtë nivel. Kampionët e botës kanë treguar se shkojnë në Botërorin e vitit të ardhshëm me një grup të madh lojtarësh cilësorë, në përpjekje për të mbrojtur kurorën e më të mirëve të rruzullit.
Në anën tjetër, trajneri kolumbian i meksikanëve, Huan Karlos Osorio, ka marrë me vete skuadrën e tij më të mirë, ndonëse të enjten do t’i mungojë përvoja e kapitenit Andres Guardado, i cili është i pezulluar për shkak të kartonëve. Ndërkohë që Gjermania vjen pas një vazhde prej 13 ndeshjesh pa humbje, që nga ai eliminim në gjysmëfinalen e Evropianit të 2016-ës përballë Francës vendase, Meksika është dëshmuar si skuadra e përmbysjeve, teksa në këtë Kupë të Konfederatave ka pësuar gjithmë gol e para, për t’ia dalë të përmbysë dhe të marrë rezultat pozitiv, si në barazimin ndaj Portugalisë, ashtu edhe në fitoret ndaj Zelandës së Re dhe Rusisë.

Sicred