KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kupa e Konfederatave në RTSH, Portugali – Kili ora 20.00

Kupa e Konfederatave në RTSH, Portugali – Kili ora 20.00

Një përballje gjithë-latine është ajo gjysmëfinale e parë e Kupës së Konfederatave, midis Portugalisë dhe Kilit, që do të luhet sonte në mbrëmje duke nisur nga ora 20:00 dhe që, sikundër të gjitha ndeshjet e kësaj veprimtarie, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Të dyja skuadrat kanë debutuar për herë parë në Kupën e Konfederatave dhe të dyja nuk e kanë fshehur synimin për ta fituar këtë trofe në edicionin e 10-të. Përballja e sotme pritet të jetë e fortë edhe për arsye se do të ndeshen dy skuadrat që kanë pësuar më pak gola deri më tani, me portugezët dhe kilianët që kanë lejuar t’u preket rrjeta vetëm dy herë. Kampionia e Evropës do të mbështetet tek talenti i Kristiano Ronaldos, që në këtë edicion të Kupës së Konfederatave është dëshmuar një lider i vërtetë, përballë dy herë kampionëve të Amerikës së Jugut, që si katalizator të suksesit të tyre kanë forcën e grupit, por edhe aftësinë goditëse, falë lojtarëve të spikatur si Aleksis Sançez, Arturo Vidal apo Eduardo Vargas.
Portugalia dhe Kili janë takuar 3 herë deri më tani dhe evropianët shijojnë një bilanc pozitiv, me dy fitore dhe një barazim. Ndërkohë, portugezët kanë shënuar, krahas gjermanëve, më shumë gola sesa të tjerët, ndërsa Kili është skuadra gjysmëfinaliste që ka shënuar më pak. Për këtë arsye, gjysmëfinalja e sotme pritet të jetë një përballje intriguese dhe e luftuar deri në fund.

Sicred