KRYEFAQJA » LAJME » Kupa e Konfederatave, mungojnë stadiumet e mbushura

Kupa e Konfederatave, mungojnë stadiumet e mbushura

Botërori i vogël ka nisur në Rusi, madje me një rendiment të kënaqshëm prej 17 gola të shënuar në 6 ndeshjet e para të tij, pra, me një mesatare të kënaqshme prej thuajse 3 golash për ndeshje. Kjo e ka bërë FIFA-n të kënaqur, ndërsa presidenti i saj, Xhani Infantino, është shprehur i kënaqur edhe me atmosferën në stadium, por edhe me numrin e tifozëve të pranishëm në to. Këto komente, kreu i organizmit që qeveris futbollin botëror i bëri duke folur për Agjencinë Ruse të Lajmeve “TASS” në përfundim të raundit të ndeshjeve të para në grupe. Megjithatë, optimizmi i zvicerano-italianit nuk e fsheh dot faktin se, përtej pritshmërive, në rastin më të mirë, stadiumet kanë qenë të mbushura në 2/3-ën e tyre. Takimi i hapjes, Rusi-Zelandë e Re u ndoq nga 50,000 sportdashës, nga 68,134 që është kapaciteti i Shën Pjetërburgut. 34,000 tifozë ishin të pranishëm në stadiumin 45,379-vendësh të Kazanit për ndeshjen Portugali-Meksikë, ndërsa ndeshja e Moskës, Kili-Kamerun, u ndoq nga 33,000 spektatorë, të pranishëm në stadiumin 45,360-vendësh. Më e rëndë ishte gjendja në Stadiumin “Fisht” të Soçit, ku vetëm 28,000 spektatorë ishin të pranishëm në stadiumin thuajse 48,000-vendësh, për të ndjekur fitoren e kampiones së botës, Australisë. Kjo nënkupton se afro 20,000 vende, apo thënë ndryshe, mbi 40% e vendeve të stadiumit ishin bosh. Në total, në 6 ndeshjet e para, janë 214,000 sportdashës që kanë qenë të pranishëm në 4 stadiumet ku po zhvillohet Kupa e Konfederatave, me një mesatare prej 35,660 vetësh për ndeshje. Kjo është ende shmë larg mesatares prej 50,291 tifozësh që ndoqën Kupën e Konfederatave 2013 në Brazil, por edhe 36,555 tifozëve që ndoqën çdo ndeshje në Afrikën e Jugut më 2009-ën dhe 37,694 tifozëve që ndoqën çdo ndeshje në Gjermani më 2005-ën.

Sicred