KRYEFAQJA » LAJME » Kukësi, vetëm 0-0 përballë La Valetës së Maltës në turin e parë
Kukësi, vetëm 0-0 përballë La Valetës së Maltës në turin e parë

Kukësi, vetëm 0-0 përballë La Valetës së Maltës në turin e parë

Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, ka nisur rrugëtimin e turit të parë eliminator dhe nënkampionia e Shqipërisë, Kukësi, ka zbritur në fushën e blertë për t’u ndeshur me maltezët e La Valetës, por nuk ka shkuar dot më larg se një barazim pa gola.
Në fakt, verilindorët marrin pjesë në këtë veprimtari pas pezullimit të përkohshëm të 8-herë kampiones së Shqipërisë, Skënderbeut, nga ana e UEFA-s. Dhe, megjithëse Kukësi dukej se ishte favorizuar nga shorti, pasi do të përballet në turin e parë me kampionen e Maltës, La Valetën, nënkampionia e Shqipërisë ka dështuar këtë të mërkurë në objektivin për të hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit për në turit tjetër eliminator. Verilindorët nuk kanë mundur të marrin më shumë se një barazim pa gola përballë maltezëve modestë. Një barazim që ndonëse mban ende plotësisht në lojë Kukësin, nuk i favorizon aspak për ndeshjen e kthimit.
Formacioni i vënë në lojë nga trajneri Pakult, me plot 5 debutues, nuk ka mundur dot të zgjidhë me sukses situatat e krijuara, madje as zëvendësimet e realizuara gjatë lojës. Jo vetëm që verilindorët nuk mundën dot të realizojnë golin e fitores, por në minutën e 83-të kanë rrezikuar seriozisht të ndëshkohen kur Santiago me portën gjysmë të boshatisur ka goditur rrjetën e jashtme të kuadratit të mbrojtur nga Frashëri. Kukësianët rrezikojnë seriozisht vetëm në momentet e fundit të lojës, me një rast flagrant të kapitenit Ylli Shameti, por topi i goditur me kokë prej tij, përfundon jashtë kuadratit.
Sfida e së mërkurës, që u luajt në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 2.
Sicred