KRYEFAQJA » LAJME » Kukësi, në provën e dy ndeshjeve, të shtunën, e para, Laçi
Kukesi-Partizani, Kukësi, në provën e dy ndeshjeve, të shtunën, e para, Laçi

Kukësi, në provën e dy ndeshjeve, të shtunën, e para, Laçi

Kukësi ka hyrë tashmë në periudhën e provës, pasi kampionëve në fuqi të Shqipërisë u janë dhënë dy ndeshje për të ndryshuar fatet e sezonit ose për t’u përballur me pasojat. E para është të shtunën në Laç ndaj skuadrës vendase dhe për trajnerin e Kukësit, Mlladen Milinkoviç, zgjidhja është e thjeshtë. “Nëse nuk do të kisha besim tek ekipi, atëherë do t’i thoja presidentit dhe do të ikja. Nuk është për t’u justifikuar, por po krijojmë shumë raste dhe nuk po i shfrytëzojmë. Edhe me Partizanin na ndodhi kjo gjë. Nëse do të kishim shënuar dhe përmbysur rezultatin, tani do të flisnim ndryshe. Por ky është futbolli. Pesë ndeshje pa fitore? Në dy ndeshjet e ardhshme do të kërkojmë gjashtë pikët. Nëse ia dalim, atëherë jemi brenda objektivave.” Pasi u konfirmua në stolin e verilindorëve, nga presidenti Safet Gjici, trajneri serb i Kukësit tashmë është i përqëndruar vetëm tek puna me skuadrën, ndërsa  ka shpjeguar edhe atë që ndodhi pas humbjes me Partizanin. “Nga humbja me Partizanin jo vetëm që nuk na erdhi mirë, por na dëmtoi. Nuk e prisnim të kishim një rezultat të tillë. Bëmë analizën dhe veçuam gabimet tona. Duam ta lëmë pas krahëve këtë humbje dhe të mos harrojmë gabimet e bëra. Deshëm të merrnim një vendim për të mirën e Kukësit, nuk shoh vetëm interesin tim, presidenti beson tek unë. Dua të them se përgjegjës për një ekip futbolli, kur nuk ecën mirë, është trajneri. Pra, nuk doja të përfitoja nga ai besim i presidentit. Unë kam biseduar me Gjicin dhe e njohim njëri-tjetrin, por nuk jam aq naiv. E di se po nuk ecën rezultatet, nuk është më çështje besimi. Po nuk pati rezultat, vjen një moment dhe nuk mund të vazhdohet më. Kjo nuk ndodh vetëm te Kukësi dhe në Shqipëri, por në klubet më të mëdha. Kjo është puna e trajnerit, ka presion.” Takimi Laçi-Kukësi luhet të shtunën pasdreke, duke nisur nga ora 14:00. Përballja e fazës së parë është fituar nga verilindorët 3-0.

Sicred