KRYEFAQJA » LAJME » Kukës, vendoset busti i martirit të demokracisë Havzi Nela

Kukës, vendoset busti i martirit të demokracisë Havzi Nela

30 vjet pas aktit barbar të varjes nga regjimi komunist, Havzi Nela, mësuesi e poeti i fjalës së lirë, rikthehet në Kukes, në bronz. “Për mua si vëlla, sot e kam të gjallë” tha vëllai i tij Shukri Nela. “Havzi Nela është biri i gjithë Lumës” u shpreh mes emocionesh ai. “Dikur në këtë vend në ’88 kemi derdh lot pikëllimi dhe po në këtë vend sot kemi lot gëzimi” thotë mbesa e Havzi Nelës. ” Unë jam rritur me letrat e dajës kur ai i shkruante nënës tonë. Fjalët e para që kam lexuar kanë qenë: “I dashur daja im Havzi”” shton ajo.
Debati për vendosjen e bustit të Havzi Nelës ka kohë që ka lindur, por u bë i mund vetëm tani falëmbështetjes së Bashkisë së Kukësit. Skulptori Ilmi Hoxha thotë se këtë emocion e ka pritur para shumë vitesh. “Sot ishte konkretizimi dhe unë jam shumë i kënaqur. Kryesorja e është se Havziu u bë pjesë e këtij qyteti” thotë ai.
Havzi Nela u burgos në vitin 1967 për shkak se kundërshtoi kolektivizimin dhe ndalimin e besimit fetar, ndërsa u ridënua disa herë derisa në vitin 1988, me 10 gusht, e varën në litar. Njohësit e jetës së tij dhe personalitete të ndryshëm janë shprehur se ai ruajti me konseguencë qëndrimin kundër shtypjes dhe shkoi me vetëdije drejt fundit. Ndersa si trashegimi la një numër poezite dhe letrat nga burgu. Havzi Nela do të mbahet mend edhe si i dënuari i fundit me vdekje i regjimit komunist në Shqipëri.