KRYEFAQJA » LAJME » Kujdes nga përdorimi i akullit në lokale

Kujdes nga përdorimi i akullit në lokale

Ndonëse akulli është produkti më i kërkuar në këto ditë temperaturash të larta, lajmet që na vijnë për këtë produkt nga Drejtoria e Shendetit Publik nuk janë aspak të mira. Nga një kontroll që është ushtruar në 36 pika gjatë këtij sezoni, në 20 prej tyre akulli ka rezultuar me prani të lartë të bakterit Echeria – Colit. Gimian Dokle, specialist i higjenës në DSHP në Tiranë, thotë se “Nga 36 monitorime që kemi ushtruar gjatë këtij sezoni, 20 prej tyre kanë rezultuar me ngarkesë pozitive të Echeria Colit dhe Coliform Total, por jo me Streptokok Fekal që është edhe përgjegjës për Hepatitin A”.
Echeria – Coli është një bakter i rrezikshëm që mund të shkaktojë infeksione urinare, gastroenterite dhe diarre. Specialistët e higjenës sqarojnë se problemi nuk qëndron tek prodhuesit e mëdhenj të licensuar te akullit, por tek atë të vegjlit. Për të prodhuar akull me kosto të ulët shumë bare dhe restorante kanë blerë vetë aparate prodhimi të cilat përdorin direkt pa filtruar ujin e rrjetit, ç’ka do të thotë akull nga ujë i pasigurtë.
Specialistët thonë se “AKU duhet të standartizojë këtë lloj produkti i cili na rezulton se tek prodhuesit e vegjel ka probleme të matshme”.
Në spitalin infektiv mjekët infeksionistë kanë ngritur shqetësimin se disa prej rasteve me hepatit A të shfaqura këto ditë e kanë burimin nga akulli i përdorur në baret dhe restorantet e Tiranës.