KRYEFAQJA » LAJME » Kryetari i Gjykatës Vlorë: Jemi të kërcënuar!

Kryetari i Gjykatës Vlorë: Jemi të kërcënuar!

Në një kohë kur kriminaliteti në Qarkun e Vlorës ka njohur rritje, ata që duhet të japin drejtësinë ndihen të kërcënuar dhe të pasigurtë. Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë Skënder Haluci në një intervistë për RTSH pohon se ai personalisht, por dhe anëtarë të tjerë të trupës gjyqësore të Vlorës, marrin në mënyrë të vazhdueshme kërcënime, që synojnë cënimin e drejtësisë. “Kushtet e sigurisë dhe kushtet e punës ku punon trupa gjyqësore e Gjykatës së Vlorës e janë zero. Kërcënimet, shantazhet dhe presionet janë të vazhdueshme, qoftë ndaj gjyqtarëve, qoftë ndaj drejtuesve të gjykatës” thotë zoti Haluci. “Unë kam marrë kërcënime dhe presione pranë kësaj gjykate që ditën e parë që kam filluar detyrën e kryetarit të gjykatës dhe deri ditën e sotme” shtoi kryegjytari i Vlorës.
Kjo deklaratë e zotit Halucit, vjen në një kohë, kur sistemi i drejtësisë ndodhet para zbatimit të Vettingut. Por ai shprehet se e mirepret, dhe tregohet i gatshëm që të jetë ndër të parët që do i nënshtrohet këtij verifikimi. “Jam gati të jem unë i pari që t’i nënshtrohem këtij vettingu. Dhe pas vlerësimit të ushtrojmë detyrën e gjyqtarit bashkë me trupën gjyqësore pa ju nënshtruar asnjë lloji presioni e asnjë lloj shantazhi” shprehet zoti Haluci. “Trupa gjyqësore e kësaj gjykate nuk do të tërhiqet nga presioni nga çdo drejtim që do të vijë” shprehet i vendosur ai.
Vlora, është qyteti ku është shënuar ngjarja më e rëndë, ndaj njerëzve të drejtësisë. Në shtator të vitit 2011, në këtë qytet u vra në një atentat me eksploziv në makinë, gjyqtari Skerdilajd Konomi, vrasje ende e pazbardhur.