KRYEFAQJA » LAJME » Kryeministri Rama pret kryepatriarkun rus Kirill
Kryeministri Rama pret kryepatriarkun rus Kirill

Kryeministri Rama pret kryepatriarkun rus Kirill

Shenjtëria e Tij Kirill, Patriark i Moskës dhe gjithë Rusisë, i është rezervuar në Tiranë një pritje e veçantë. Pas darkës zyrtare dhe takimit me kreun e shtetit Ilir Meta, ai është pritur edhe nga kryeministri Edi Rama. “Kisha ruse, përtej besimit, përfaqëson edhe një vatër të jashtëzakonshme të artit dhe të kulturës. Për mua personalisht është një nga pikat e referimit, Andrei Rublev, por dhe liturgjitë e Tchaikovsky dhe Rachmaninoff” tha zoti Rama. Ai kujtoi se kjo vizitë në Tiranë përkon edhe me 110-vjetorin e Kishës Autoqefale Shqiptare. “Kisha e parë ishte kisha e Shën Gjergjit në Boston dhe themeluesi i saj, Imzot Fan Noli, u shugurua prift nga peshkopi rus i New York-ut, Imzot Platoni” tha zoti Rama.
Shenjtëria e Tij Kirill, Patriark i Moskës dhe gjithë Rusisë u shpreh i impresionuar me arritjet dhe punën që është kryer në Tiranë. “Sot i thashë Kryepeshkopit Anastas që tani që kam ardhur për herë të dytë, për herë të parë kam qenë në vitin 2003, unë nuk e njoh këtë vend. Tirana u ndryshua shumë, tani është vërtet qytet shumë i bukur. Unë e di që merita është shumë e madhe dhe kjo ju përket juve si kryebashkiaku i Tiranës. Unë ju përgëzoj për ato vepra të mëdha që keni kryer në atë post dhe besoj që është fati i Tiranës që për disa vite ky qytet është drejtuar nga njeriu i artit” tha patriarku rus.
“Ju si artist e dini shumë mirë që çështjet estetike luajnë një rol shumë të madh në jetën e njeriut. Estetika është shfaqje e jashtme e harmonisë, por, kur flasim për harmoninë, nuk flasim vetëm për gjëra të jashtme, por edhe ato të brendshme. Andrei Rublev ka krijuar kryeveprat e tij, sepse ato mishërojnë eksperiencën e tij shpirtërore” tha shenjtëria e tij.

Sicred