KRYEFAQJA » LAJME » Kryemadhi, zonja e parë në krye të LSI në opozitë
Çështja Tahiri, Kryemadhi: U vërtetuan akuzat tona për lidhjet e drejtpërdrejta të qeverisë me krimin

Kryemadhi, zonja e parë në krye të LSI në opozitë

Bashkëshortja e presidentit të ardhshëm shqiptar Ilir Meta, zonja Monika Kryemadhi është zgjedhur kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrimi, partia e tretë më e madhe në parlamentin shqiptar, pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Ajo zëvendësoi zotin Petrit Vasili i cili dha dorëheqjen pasi LSI nuk arriti të dilte forcë e parë në këto zgjedhje, ashtu siç kishte premtuar, ndonëse shënoi një rritje në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013.
Në konventën e kësaj LSI të mërkurën në Tiranë, zonja Kryemadhi deklaroi se partia që ajo do të udhëheqi, do të jetë forca kryesore opozitare e vendit. “Besoj se është e qartë se ne jemi forca kryesore opozitare në Shqipëri. Ne do të jemi një forcë udhëheqëse opozitare, ata që do ta çojnë për skrap qeverinë e krimit të organizuar dhe blerjes së votave” tha zonja Kryemadhi. Sipas saj beteja e LSI në parlament do të jetë kundër “kastës që ka marrë timonin e krimit”, duke ju referuar kështu PS aleates së LSI gjatë katër viteve qeverisjeje. Në fjalën e zonjës Kryemadhi vend të veçantë zunë raportet mes LSI dhe PS. “Kërkoj falje për pjesën tonë të bashkëqeverisjes me Edi Ramën. Nuk reaguam fort kur konstatuam se Shqipëria po kthehej në një plantacion droge” tha ndër të tjera kryetarja e re e LSI. “Përballë nesh është një kundërshtar i armatosur me krimin. Ne do të bëjmë një opozitë të fortë deri në pikën e fundit, pa bërë kompromis me pushtetin” tha më tej zonja Kryemadhi.
Zgjedhja e zonjës Kryemadhi në krye të LSI, e deklaruar tashmë në opozitë, sjell një zhvillim mjaftë interesant në skenën politike shqiptare. Si bashkëshorte e presidentit të ardhshëm Ilir Meta, ajo do të jetë edhe zonja e parë e vendit. Vetë zoti Meta, si president do ti duhet të jetë përfaqësues i interesave të të gjithë popullit, e po këtë rrugë do të duhet të ndjeki edhe bashkëshortja e tij, por që tashmë është deklaruar udhëheqëse e një pjese të opozitës.
Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 qeshorit zoti Meta tërhoqi vëmendjen me përfshirjen e tij si dhe tonet agresive ndaj PS dhe kryeministrit Rama. Ky i fundit i sugjeroi kreut të ardhshëm të shtetit të kërkonte falje. Zoti Meta nuk ka reaguar pas këtyre deklaratave, por nuk u pa të ishte i pranishëm në konventën e LSI ku bashkëshortja e tij mori drejtim e partisë, të cilën ai e kish krijuar dhe udhëhequr për më shumë se një dekadë.
Për këto arsye, por dhe të tjera, zhvillimet e mëtejshme priten me mjaftë interes, pasi edhe pyetjet që lindin janë të shumta.

Sicred