KRYEFAQJA » LAJME » “Kroçiera e Çiklizmit”, Saranda “pushtohet” nga biçikletat

“Kroçiera e Çiklizmit”, Saranda “pushtohet” nga biçikletat

Saranda është shndërruar të enjten në destinacionin e një nisme mjaft të bukur rajonale për të promovuar turizmin nëpërmjet sportit. Kanë qenë plot 106 çiklistë italianë të të gjitha moshave, që kanë zbarkuar nga ajo që ishte quajtur si Kroçiera e “Çiklizmit”, së bashku me biçikletat e tyre, duke e shndërruar portin e qytetit bregdetar në sheshin e nisjes së një gare. Midis tyre spikatnin kampioni olimpik i 2004-ës, por edhe dy herë kampioni i botës, Paolo Betini, si dhe ish-kampioni i botës, Maurizio Fondriest, të cilët kanë dhënë përshtypjet e vizitës së tyre të parë në Shqipëri. “Kjo është për mua një mundësi për të pedaluar sërish dhe për të zbuluar vende të reja. Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe hera e parë që do të mundem të pedaloj nëpër rrugët tuaja dhe të shijoj vendin tuaj. Falënderojmë organizatorët e kësaj Kroçiere, sepse një ditë më parë më ka dhënë mundësi të pedaloj nëpër rrugët e Athinës, ku 13 vjet më parë u shpalla “kampion olimpik”, ndërsa tani jam këtu, për të përjetuar një tjetër aventurë. Mendoj se kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të promovuar turizmin, por pa hequr dorë nga ajo që është në fakt, jeta jonë, biçikleta”. “Sot jemi këtu vetëm për një ditë dhe pasi të kemi pedaluar, do të largohemi. Por, kam besimin se në të ardhmen, do të kthehem këtu për të ndenjur më tepër sesa kaq dhe për të parë shumë më shumë sesa kaq. Kjo Kroçierë është një mundësi e shkëlqyer që, duke qenë midis njerëzve të apasionuar me çiklizmin, të vizitosh vende të reja dhe të shijosh përvoja të reja”. Të ndarë në dy grupe, teksa ata mbi 50 vjeç kanë përshkuar një itinerar prej rreth 35 km, ndërsa ata nën 50 vjeç kanë sfiduar veten në një itinerar dyfish më të gjatë, çiklistët italianë kanë pedaluar përgjatë rrugëve të Sarandës, por edhe rreth e rrotull saj, duke shkuar deri në kthesën e rrugës që të çon drejt Doganës së Qafë-Botës. Natyrisht, duke patur parasysh edhe moshën e pjesëmarrësve, ka patur edhe pushime disaminutëshe për t’u dhënë atyre mundësi të marrin veten. Megjithatë, pedalimi ka qenë mbresëlënës dhe shpirti i paepur i çiklistëve veteranë ka dalë sidomos në pah në finishin malor në kalanë e Lëkurësit. E gjithë kjo garë turistike e ka bërë padyshim krenar presidentin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku. Çiklistët janë kthyer më pas tek Kroçiera që i priste, por për shumë prej tyre, kjo vizitë e parë në Shqipëri nuk do të ishte absolutisht e fundit.

Sicred