KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kroacia bën Argjentinën “të qajë…”
Kroacia bën Argjentinën “të qajë..."

Kroacia bën Argjentinën “të qajë…”

Me takimin Argjentinë-Kroaci, që u luajt në mbrëmje dhe mbyll me rezultatin 3-0, ka ulur siparin dita e 8-të e Kampionatit të 21-të Botëror të Futbollit.

45 minutat e para të kësaj përballjeje, të zhvilluar në Stadiumin e Nizhnji Novgorodit ka parë një pjesë të parë me një lojë të ngjeshur taktikisht, sidomos të ballkanasve, të cilët kanë arritur të neutralizojnë në shumicën dërrmuese të kohës rrezikun e amerikanolatinëve, që vinte kryesisht në trajtën e Mesit dhe të Aguerros.

Në krahun tjetër, Kroacia ka guxuar më tepër me anë të kundërsulmeve, për ta vënë në vështirësi portierin argjentinas. Megjithëse kroatët do të rrezikojnë të parë me anë të Perisiçit, Argjentina do të jetë dy herë pranë golit, fillimisht me harkimin e Akunës, që qeth shtyllën horizontale të portës së Subashiçit, e më pas me rastin e Perezit, që shkon dëm në mënyrë të pabesueshme një rast të pastër me portën e boshatisur. Pjesa e parë mbyllet me një rast të volitshëm të ballkanasve, por Manxhukiç shpërdoron goditjen e tij me kokë i vetëm me portierin argjentinas.

Pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta do të përkufizohet padyshim nga episodi i minutës së 53-të, kur, në një top të kthyer prapa, portieri argjentinas Kabajero bën një gabim foshjarak në goditje dhe Rebiç nuk fal, duke përshëndetur rrjetën.  Argjentina do të mundohet të reagojë dhe do t’i afrohet golit me Mesin, por Kroacia do të mbahet dhe madje do të godasë sërish, 10 minuta para fundit, kur Modriç godet mjeshtërisht nga jashtë zone dhe përshëndet rrjetën.

Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, në një referencë të hidhur ironike të këngës “Don’t Cry for me Argentina”, Kroacia e bën me të vërtetë Argjentinën të qajë, sepse Rakitiç do të shënojë edhe një gol të 3-të, duke kualifikuar Kroacinë për në turin tjetër dhe duke lënë amerikanolatinët në prag të eliminimit dhe në mëshirë të matematikës.

Sicred