Maxhoranca dhe opozita kanë regjistruar sot replika të ashpra në distancë lidhur me gjendjen e krimit në vend. Në ditën e parë të nisjes së punimeve të sesionit parlamentar të vjeshtës, maxhoranca ishte e pranishme në sallë, ndërsa opozita në momentet e fundit zgjodhi të mblidhej në Shkodër, qyteti ku ngjarjet kriminale po shqetësojnë jo vetëm opinionin e atjeshëm.
Në parlament numri dy i socialistëve dhe kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla, tha se shifrat tregojnë qartë se situata e rendit dhe krimit në vend dhe gjithashtu edhe në Shkodër është përmirësuar. “Dy grupet e opozitës janë në Shkodër për të zhvilluar një takim për rendin publik. Shifrat tregojnë se në vitin 2010, kur Basha ishte ministër i Brendshëm, kishim 18 vrasje vetëm në Qarkun Shkodër, krahasuar me një shifër prej 8 vrasje gjatë tetëmujorit të parë të vitit 2018” tha zoti Balla. “Ata që kanë kryer atë krim duhen ndëshkuar menjëherë dhe kemi besim të puna e Policisë së Shtetit dhe të vullneti i ministrit të Brendshëm. Duam që këto të dhëna kuptimplota të vërtetohen nga mediat, e jo të hidhet te qytetarët helmi i çorbës së SHQUP-it” shtoi zoti Balla.
Ndërkaq në Shkodër zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se në më pak se 3 muaj kanë ndodhur 6 vrasje mafioze dhe janë rrëmbyer 2 persona. “Këtu duhet të ishte Kryeministri, jo për të shitur mend dhe për të bërë batuta, por për të raportuar arrestimin e kriminelëve që kanë 6 muaj që terrorizojnë Shkodrën” tha ai. Zoti Basha akuzoi zotin Rama se bashkëpunon haptazi me familjen kriminale Bajraj, që ka kthyer Dobraçin në zonë lufte. “Një lagje e Shkodrës e vënë nën kontroll nga bandat. Shteti është ulur në gjunjë te krimi. Rama-Xhafaj janë kryeministër dhe ministër në letër, por kontrollin e shtetit e kanë bandat. Ky është realiteti në Shkodër, Vlorë, Fier, Durrës dhe Shijak” tha zoti Basha.
Zhvillimet e sotme duket se paralajmërojnë një stinë të nxehtë në politikën shqiptare, ndonëse ndërkombëtarët u kanë bërë thirrje palëve për bashkëpunim në arritjen e objektivave për çeljen e negociatave vitin e ardhshëm.
