KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Kreu i parlamentit Ruçi pret drejtorin e përgjithshëm të EBU

Kreu i parlamentit Ruçi pret drejtorin e përgjithshëm të EBU

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka pritur në një takim Noel Curran, Drejtor i Përgjithshëm i Bashkimit të Transmetuesve Europianë, i shoqëruar nga Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së, Thoma Gëllci.

Media, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Ruçi, ka luajtur një rol të rëndësishëm në transformimet demokratike në Shqipëri, të cilin ai e vlerësoi si një tranzicion të gjatë, të vështirë dhe të kushtueshëm. “Respekti për lirinë e shprehjes dhe mediave mbetet një tregues kyç i gatishmërisë dhe pjekurisë demokratike si vend kandidat për në BE. Kuvendi i Shqipërisë po bashkëpunon me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për një zbatim të drejtë të lirisë së medias, duke e konsideruar këtë liri themelin e një shoqërie demokratike dhe gur kilometrik në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian” tha zoti Ruçi. Kryetari i parlamentit shqiptar u shpreh se “Krahas sfidave të tjera që vijnë prej zhvillimeve të shpejta dhe teknologjive të avancuara të informacionit, edhe Shqipëria po përjeton të ashtuajturin demokratizim të medias.Ky proces po përballet me sfida për shoqërinë, por edhe për vetë median. Duke përballuar këto sfida, media bëhet më e dobishme për shoqërinë dhe më e besueshme për qytetarët. Ndërsa shoqëria bëhet më demokratike, më e ndjeshme, më e drejtë dhe më reaguese ndaj padrejtësive e pabarazive” tha zoti Ruçi.

Në emër të Bashkimit të Transmetuesve Europianë, zoti Curran falenderoi Kryetarin e Kuvendit Ruçi për mbështetjen institucionale dhe personale që i jep zhvillimit dhe lirisë së medias në Shqipëri. Zoti Curran e përgëzoi zotin Ruçi edhe për ambicjet e fuqishme dhe këmbënguljen e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i RTSH Thoma Gëllçi falenderoi gjithashtu Kryetarin e Kuvendit për mbështetjen që i jep Radio Televizionit Shqiptar dhe paraqiti disa kërkesa për fuqizimin e këtij transmetuesi publik në të ardhmen.

Zhvillimi i medias dhe rritja e rolit të saj informues, edukues dhe argëtues, nënvizuan të tre bashkëbiseduesit, duhet të bëhet duke respektuar lirinë e mediave private si edhe duke fuqizuar transmetuesit publik. Bashkëbiseduesit vlerësuan arritjet e RTSH-së si transmetues publik në rritjen e shikueshmërisë, mbulimin me sinjal të të gjithë territorit të vendit si edhe menaxhimin eficient dhe efektiv gjatë viteve të fundit. Këto arritje, të shoqëruara me pasurimin e programeve dhe reforma e digjitalizimit , e kanë bërë platformën e RTSH ndër më të ndjekurat për shqiptarët. Por këto kërkojnë edhe një mbështetje më të madhe financiare, duke e vlerësuar shëndoshjen e RTSH-së si transmetues publik si një shërbim për qytetarët dhe si një kontribut për shëndoshjen e demokracisë dhe të vetë shoqërisë.

Sicred