KRYEFAQJA » LAJME » Kreu i Kushtetutës Bashkim Dedja, përballë KPA-së

Kreu i Kushtetutës Bashkim Dedja, përballë KPA-së

Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, vihet edhe një herë në testin e vettingut pavarësisht se ishte konfirmuar në detyrë në muajin Qershor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Ka qenë Institucioni i Komisionerëve Publik që ka ankimuar vendimin për konfirmimin e tij, në Kolegjin e Posacëm të Apelimit me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Komisioneri Publik argumenton se Dedja ka deklarime të pasakta pasurie, fshehje të saj si dhe nuk justifikon dot pasurinë me të ardhurat e tij.

Konkretisht për blerjen e një apartamenti 98m2 në Tiranë në vitin 1997 ka pasaktësi dhe mospërputhje të deklaratave ndër vite lidhur me cmimin e blerjes. Sa i takon së njëjtës pasuri, subjekti ka deklaruar se e ka blerë së bashku me të vëllanë, por sipas komisionerit publik asnjëri prej tyre nuk ka patur të ardhura të mjaftueshme që e justifikojnë këtë blerje.

Po ashtu lidhur me një apartament 146 m2 dhe garazh 15.25 m2 po në Tiranë, komisioneri publik shprehet se ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe dokumentacionit që ta justifikojnë blerjen e pasurisë.

Nga ana tjetër dyshohet për fshehjen e një apartamenti 60 m2 në Golem, që Dedja e kishte deklaruar vetëm në përdorim, por ku kontrata e furnizimit me energji rezulton ne emër të tij.

Vetë kreu i kushtetueses Dedja para trupës gjykuese të kryesuar nga Ardian Hajdari e të përbërë nga Luan Daci, Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz, ka kundërshtuar shkaqet e ankimimit të Komisionerit Publik.

Dedja argumenton për pasuritë e tij të ardhurat shtesë nga kontributi i të vëllait, emigrant në Greqi dhe deklaroi se mungon dokumentacioni në Gjykatën e Tiranës për të evidentuar punën e tij si gjykatës dhe punën si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës cka justifikon të ardhurat që ai ka patur.

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com